Romani ”Ditët e Lakuriqëve të Natës” i shkrimtarit Namik Dokle sjell një histori dashurie, që e lidh me vendlindjen e tij Gorën.

Kjo histori dashurie ndodh në vetëm gjashtë ditë. Subjekti shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca, por nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë mundësi të bëjnë dashuri.

Në fshat mbizotëron shtetrrethimi i frikshëm mbi nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet kanë veshur petka prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare nën diktaturë. “Ditet e lakuriqeve te nates”, krahas dy teksteve te mepareshme (Vajzat e mjegullës dhe Lulet e skajbotës), plotëson triptikun romanor të Namik Dokles, shenjon vlerë të letrave shqipe. Gjashtë ditët e kohës letrare, vijnë përmes digresionit, japin shkërmoqjen e ëndrrave. Në fshatin e dashurisë së shprehur me lule ka rënë tërbimi, thotë autori për Vitrinën e Librit në Top Channel. Për ta qartësuar mjegullën absurde atje, shkon biologu, kështu dhe nis ngjarja. Kujtesa e përmbysur e linjave, narratives dhe simbolikës së lakuriqeve dhe dhelprave të kuqe, plazmojnë magjiken e tjetërsimit të qenies. Kllapia e zhgjendrrës, derdhur si ”ironi intertekstuale” e Umberto Eco-s, është zbulesa e vrasjes së dashurisë, aty ku “njeriu i ri” i partisë dhe sigurimit, shkel me këmbë dijetarin, dëshmon rebusin letrar, mëton të shpjegojë më tej autori.

Në këtë roman, ashtu si edhe në dy paraardhësit e tij, autori ka lëmuar mjeshtërisht fjalorin e pasur të zonës; legjendat, mitet, realitetet magjike janë sërish pjesë domethënëse e rrëfenjës së autorit, i cili tashmë e ka të shtruar si kalldrëm me gurët e skalitur udhën e sigurt drejt lexuesit dhe letërsisë së bukur shqipe.

Namik Dokle lindi në Durrës, më 11 mars të vitit 1946. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega ekonomi agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970). Fillimisht punoi si gazetar, por që prej viti 1991 u bë i njohur si politikan në parlamentin shqiptar. Krijimtaria e tij letrare është pasur me tregime, drama, radiodrama, publicistikë dhe së fundi ka lëvruar edhe romanin.

FRAGMENT NGA LIBRI
Po kujtonte një këngë që e kishte kënduar ndoshta njëqind apo një milion vjet përpara, për një dashuri fatkeqe a për një nënë kobzezë që gënjeu djalin e vet për nusen e tij të re… sa ishe ti në ato toka të verdha, nusja jote çdo mbrëmje dilte te çezma dhe spërkatej me djemtë e rinj, shkonte në plemat e vejanëve, rrinte natën vonë në dritare. E djali u turbullua dhe nxori thikën, i tërmegji sytë që i lotonin gjak, i preu kokën nuses së vet të re e të bukur si lulja e shegjit, kuqbardha e Shëngjergjit.

Koka e prerë e nuses aty në skaj të shtratit i foli dhe i tha: shiko trarët e shtëpisë që janë kalbur nga lotët e mi, të prita e të qava nëntë vjet pa dalë kurrënjëherë, as në dritare, as në plemë dhe as te çezma, pyet motrën tënde, more i miri im! Motra tregoi të vërtetën dhe djali e nguli thikën mu në zemër, ku gjaku i nuses u bashkua me gjakun e tij të përvëluar.

“Nuk deshe të shikosh dy dashuri, shiko tani dy varre mbuluar në zi!”, i tha nënës, ndërsa po i dilte shpirti. Koka e prerë vetëm njëherë mund të flasë dhe vetëm për të treguar dashurinë, mendoi dada Nure dhe ndjeu gjakun t’i gjallërohej, këmbët të lëviznin dhe shkopin të fliste me gurët.

Top Channel