Për më shumë se 4 orë mbrëmjen e së dielës, banorët e lagjes “10 korriku” në Vlorë përjetuan panik, pasi në rrugën kryesore u konstatua një sasi lënde plasëse e aktivizuar, e madje e lidhur me një aparat telefoni celular.

Pakoja u vu re nga kalimtarët, që lajmëruan më pas forcat e policisë. Nga vendngjarja mbërritën shpejt pamjet që tregonin automjetet e policisë, shiritat e verdhë që nuk lejonin banorët të kalonin përtej tyre për shkaqe sigurie, ndërsa të gjithë qëndruan në pritje të ekipeve të specializuara për shpërthim të kontrolluar të pakove të dyshimta, nga kryeqyteti.

  Vlorë, lënda plasëse bie në rrugë. Ende nuk dihen autorët

Ekipet xheniere mbërritën vonë, e pas bllokimit të valëve të telefonisë së lëvizshme, kanë mundur të bëjnë shpërthimin e kontrolluar të lëndës shpërthyese të tipit tritol.

Një segment prej rreth 500 metrash i rrugës u bllokua për qarkullimin e automjeteve. Dyshimet paraprake janë se lënda eksplozive mund të ketë rënë nga ndonjë automjet në lëvizje, por deri më tani nuk ka të dhëna konkrete.

Një ekip hetimor vijon punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ende nuk dihen personat që kanë pasur këtë sasi lëndë plasëse me vete, sikurse mbetet enigmë edhe objektivi. Megjithatë, bëhet e ditur se policia ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, për të identifikuar se nga cili mjet mund të ketë rënë pakoja me lëndën e dyshimtë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel