Kosovë, shefja e zyrës së BE-së: Hiqni taksën! Mos u zhgënjeni për vonesën e “vizave”

01/04/2019 13:29

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova ritheksoi se taksa doganore 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, e vendosur nga Qeveria e Kosovës, është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e BE-së.

Këto deklarata, Apostolova i bëri në Prishtinë, në konferencën që shënonte 3-vjetorin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, duke theksuar se tarifa nuk është në frymën e parimeve të kësaj marrëveshjeje.

“Bashkimi Europian, si investuesi më i madh në Kosovë dhe partneri më i madh tregtar, është mjaft i shqetësuar. Ndaj thekson se këto barriera ndaj tregtisë së lirë, qoftë të vendosura nga Kosova, apo ndonjë shtet tjetër fqinj, pengojnë rrugën rajonale të integrimit ekonomik. Po ashtu, e bëjnë vendin jotërheqës për investimet e huaja”, tha Apostolova.

Ajo foli edhe për liberalizimin e vizave, duke iu kërkuar qytetarëve të Kosovës të mos zhgënjehen.

“Kosova ka bërë progres në luftimin e korrupsionit dhe vota e Parlamentit Europian është dëshmi që keni përparuar. Procesi duhet të zhvillohet dhe është në dorën e Këshillit. Mos u zhgënjeni pse nuk po zhvillohet me shpejtësi, sepse nuk bëhet automatikisht”, tha Apostolova.

Ndërkohë, pas një takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj, dy deputetë të Bundestagut gjerman, Peter Bauer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU) kërkuan gjithashtu nga Kosova që të heqë taksën, ndërsa përsëritën qëndrimin e Gjermanisë së janë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

Top Channel