Në qytetin e Shkodrës u përcollën për në banesën e fundit, pasditen e së dielës, dy vëllezërit Bilali që u ekzekutuan një ditë më parë. Shkodra ishte e blinduar nga forcat e policisë për varrimin e dy vëllezërve, pasi në ceremoninë mortore mori pjesë edhe Asmer Bilali, djali dhe nipi i viktimave, i cili është në paraburgim si një nga anëtarët e grupit “Bajri”.

Gjyshi i tij, Fahri Vejuka u shpreh për mediet se shteti duhet të gjejë autorët. Pothuajse është shuar një familje – thotë ai, – dhe institucionet duhet të bëjnë detyrën e tyre.

“Shpresojmë që shteti të gjejë autorët e vrasjes, sepse është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Pothuajse është shuar një familje, pas kësaj ngjarjeje dhe institucionet do të bëjnë detyrën e tyre për çfarë ka ndodhur”,thotë Fahri Vejuka.

Ndërkohë, detaje të reja në lidhje me ngjarjen zbulohen nga policia, pasi ka përfunduar ekspertiza ligjore dhe janë mbledhur provat e mjaftueshme në vendngjarje. Pranë trupit të viktimës Astrit Bilali u gjet një pistoletë, me të cilën dyshohet se i ndjeri u kundërpërgjigj me zjarr ndaj atentatorëve.

Sipas policisë, makina tip Benz që përdorën ekzekutorët ishte shpallur e vjedhur që nga viti 2018 dhe ishte me targa false. Në automjetin e djegur u gjet edhe arma automatike me të cilën u krye vrasja. Policia tha se, deri më tani ka shoqëruar më shumë se 20 persona, të cilët janë marrë në pyetje për zbardhjen e ngjarjes, por ende nuk ka asnjë autor.

Në anën tjetër, qytetarët e Shkodrës po kalojnë ditë jo të qeta, pas 3 vrasjeve të fundit mafioze në qytet. Për ngjarjen e së shtunës, banorët shprehen se rendi dhe siguria në qytet mungon prej kohësh.

Arkipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Angelo Massafra komentoi ngjarjet e rënda, vrasjen e Ferdinand Polisë pak ditë më parë dhe të të dy vëllezërve Bilali. Gjatë një meshe në Katedralen “Shën Shtjefni”, ai u shpreh se fëmijët e sotëm nuk dinë të kërkojnë falje dhe të kuptojnë gabimet e tyre, duke sjellë më pas veprime që i çojnë drejt sjelljeve negative si droga apo krimet.

“Vetëm si shkak i krenarisë që kemi kur gabojmë, disa pranojnë që t’i fusin plumb kokës dhe të mos tërhiqen, edhe kur e dinë se janë gabim. Kjo nuk është gjëja e duhur”, deklaroi Massafra.

Arkipeshkvi bëri thirrje që të rinjtë të kuptojnë gabimet e tyre, sepse në momentin kur kupton gabimin, aty nis shpëtimi për gjithsecilin.

Top Channel