Pas një ngërçi të gjatë disa vjeçar, kredia për ekonominë duket se ka nisur të shfaqë shenja gjallërimi. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në dy muajt e parë të vitit, kredia që bankat kanë dhënë për biznesin dhe familjet u rrit me gati 9 miliardë lekë ose 70 milionë euro.

Të dhënat e detajuara tregojnë se një pjesë e kësaj është efekt i kursit të këmbimit. Në dy muajt e fundit euro është forcuar ndaj lekut dhe kjo bën që kreditë e dhëna në euro tani të përkthehen në më shumë lekë. Por ky efekt është relativisht i vogël.

Pjesa më e madhe e rritjes së kredisë ka ardhur nga disbursimi i huave të reja dhe sinjali më inkurajues është rritja e kredive për biznesin privat. Prej disa vitesh kredia për biznesin, ka qenë në trajektore rënëse. Por në dy muajt e parë të këtij viti, kredia për bizneset u rrit me 7 miliardë lekë, nga 317 miliardë lekë që ishte në 324 miliardë lekë.

Sinjalet për gjallërimin e kredisë u shfaqen që në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur bankat private raportuan në vrojtimin periodik të bankës së Shqipërisë, rritje të kërkesës për hua nga biznesi, veçanërisht për investime të reja.

Që pas vitit 2012, mungesa e kredive ka qenë një nga faktorët më frenues për rritjen ekonomike. Por nëse sinjalet inkurajuese të muajve të fundit do të konfirmohet edhe në vijim, ekonomia shqiptare mund të ketë një ndihmë shtesë këtë vit, i cili është paralajmëruar si i vështirë.

Top Channel