Lulzim Basha deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë “Biniatta Trade” dhe se i kishte paguar kompanisë së Muzin vetëm 25 mijë dollarë. Madje kryedemokrati, në një intervistë për “Opinion” pak ditë pasi kishte shpërthyer skandali, tha se nuk e njihte “Binniata Trade”.

Por dokumentet flasin ndryshe. Një tjetër detaj, mjaft i rëndësishëm, për të cilin kryedemokrati Basha nuk ka dhënë ende një përgjigje është se, përse i pagoi vetëm këstin e parë prej 25 mijë dollarë lobistit Nick Muzin, kur kontrata parashikonte 75 mijë.

“Këtë thotë Muzini. Këtë kanë dosjet. Që ai po lobonte për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe që kjo është pagesa. Ndoshta ai gënjen. S’po e akuzoj. Po e them në teori. Dhe ai mund t’i ketë marrë paratë për diçka tjetër, por këtë thonë dokumentet. Dhe ne e dimë që ai u regjistrua për PD dhe ka bërë punë për ta. Këto gjëra nuk janë në diskutim. Nëse Partia Demokratike e ka paguar, ata mund të na thonë detajet nëse shkresat u duken gabim. Kur e ke paguar dikë, duhet të bëjë atë që të thotë. Duket vërtet e nevojshme për atë dhe për partinë që të japin shpjegime më përmbyllëse dhe më të qarta”, tha David Corn, kryeredaktor i “Mother Jones”, Washington.

“Nëse do të ishte kështu, atëherë materialet e depozituara nga Nick Muzin në Departamentin e Drejtësisë janë të pasakta, sepse aty ai thotë se do të lobonte për PD-në. Dhe atëherë pyetja do të ishte: Përse ai do të thoshte një gjë të tillë në dokumentet zyrtare të Departamentit të Drejtësisë, vetëm disa javë pasi Paul Manafort u padit për dorëzimin e dokumenteve të parregullta pikërisht në Departamentin e Drejtësisë për aktivitetin e tij të lobimit me të huaj. Ndaj, askush nuk do të donte të bënte ngatërresa me këto dokumente, sepse Departamenti i Drejtësisë po gjurmon këto lloj aktivitetesh. Pra, çdo gjë është e mundur, por pse ai do të thoshte diçka tërësisht të pavërtetë në dokumentet zyrtare të Departamentit amerikan të Drejtësisë? Nëse kjo pagesë që Binniata i bëri Nick Muzin nuk ka asnjë lidhje me PD-në, atëherë përse ai deklaroi se ishte një pagesë për këtë parti në Departamentin e Drejtësisë…?”, tha Hannah Levintova, gazetare e revistës “Mother Jones”.

Top Channel