Shteti Islamik tha të martën se kishte nisur një sulm vdekjeprurës mbi forcat kurde në Sirinë veriore gjatë natës, në reagimin e parë të tillë nga grupi, pasi forcat e mbështetura nga SHBA shpallën kapjen e territorit të saj të fundit në Siri, javën e kaluar.

Një zëdhënës i milicisë së mbështetur nga SHBA, që kontrollon Manbijin, tha se një sulm terrorist në një pikë kontrolli në hyrjen e qytetit, vrau shtatë luftëtarë në detyrë. Një zyrtar i SHBA tha se të gjitha viktimat ishin midis anëtarëve të Forcave Demokratike të Sirisë (SDF).

Shteti Islamik tha në një deklaratë se “ushtarët e kalifatit sulmuan një pikë kontrolli të PKK-së apostate (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit)” në perëndim të Manbijit, duke përdorur armë automatike dhe vranë nëntë luftëtarë.

Rreth 30 km larg kufirit turk, Manbij ka qenë një pikë alarmi në konfliktin sirian dhe zë një vend kritik, afër kryqëzimit të tre blloqeve të veçanta të territorit që formojnë sferat e ndikimit rus, turk dhe të SHBA-ve.

Ajo u kap në vitin 2016 nga Shteti Islamik, nga milicia e Sirisë e lidhur me SDF, një forcë milicie e udhëhequr nga YPG kurde dhe që kontrollon rreth një të katërtën e Sirisë.

SDF, të shtunën, shpalli kapjen e Baghouz, territorit të fundit të Shtetit Islamik në Siri, duke eliminuar sundimin e tij mbi një “kalifat” të vetëshpallur, por xhihadistët mbeten një kërcënim me pasuesit në mbarë botën.

“Ne nuk mund të fajësojmë një anë specifike për këtë sulm, por është patjetër i lidhur me shpalljen e fitores mbi Daeshin,” tha zëdhënësi i Këshillit Ushtarak të Manbij, Sharfan Darwish.

“Qëllimi i këtyre sulmeve është nxitja e rebelimit. Gjithashtu, partitë e trazuara nga humbja e Daeshit po përpiqen të kërcënojnë stabilitetin në zonë, “i tha ai Reuters.

Top Channel