Një zonë në periferi të Nju Jorkut ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka ndaluar fëmijët e pavaksinuar të hyjnë në zonat publike ndërkohë që SHBA po stërmundohet të vendosë nën kontroll një seri rastesh të fruthit.

Konteja Rokland, në veri perëndim të qytetit të Nju Jork, e njoftoi masën pasi 153 raste fruthi u raportuan që nga tetori. Ky është rajoni më i fundit në SHBA që e merr një hap të tillë për të luftuar virusin, me një rritje të rasteve të fruthit që ka ndezur edhe shqetësimet se prindërit që kundërshtojnë vaksinat mund të jenë duke i rrezikuar fëmijët e tyre.

Guvernatori i shtetit të Uashingtonit shpalli gjendjen e emergjencës në janar pas epidemisë së fruthit në shtet ndërsa agjencia federale, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve tha se të tjera shpërthime janë regjistruar në Teksas, Illinois, Kaliforni dhe Nju Jork.

Gjendja e emergjencës në Kontenë Rokland, që hyri në fuqi në mesnatë, ndalon të gjithë personat nën 18 vjeç, që nuk janë vaksinuar, të qëndrojnë në vendet publike për 30 ditë. Sipas zyrtarëve bëhet fjalë për një krizë të shëndetit publik dhe është koha të ndizet alarmi dhe të merren masat e duhura.

Më herët, në kontenë Rokland, ishin ndaluar fëmijët e pavaksinuar në disa shkolla, por masa e fundit është më agresivja. Fëmijët janë më të rrezikuarit nga fruthi pasi një në 20 fëmijë të prekur do të kalojë në pneumoni ndërsa 1 në 1000 vdes nga virusi. Fruthi mund të dëmtojë ndërkohë edhe trurin.

Top Channel