“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës politizimin e sindikatave në Shqipëri. Nëse në vendet fqinje, apo ato perëndimore, protestat dhe grevat udhëhiqen nga sindikatat, në vendin tonë ato janë totalisht të politizuara. Madje, marrin udhëzime nga partitë, qoftë të majta apo të djathta.

Pak vite më parë, presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja dekoroi kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha si “Nderi i Sindikalizmit në Shqipëri”.

Por vitet kalojnë dhe problematikat janë sërish të njëjta. Emisioni investigativ “Fiks Fare” ndoqi një problematikë në Sindikatën e Arsimit dhe Shkencës në Shqipëri, një sindikatë e themeluar prej 26 vitesh.

Kjo sindikatë ka aktualisht 12 mijë anëtarë, kryesisht mësues, të cilët paguajnë 100 lekë të reja në muaj kuotizacione. Por, megjithëse mësuesit kanë ngritur disa herë shqetësime në këtë sindikatë, drejtuesit e saj justifikohen se “nuk mund t’i dalim dot përballë kryeministrit Edi Rama”. Madje thonë se, sindikata e tyre është e majtë dhe nuk e shajnë dot një qeveri të majtë.

Petref Sula, nënkryetar i kësaj sindikate thotë se, prej 26 vitesh mbrojnë të drejtat e mësuesve dhe nxënësve. Por, prej më shumë se dy vitesh, sindikata nuk po funksionon siç duhet, pas zgjedhjes së kryetarit Arjan Dyrmishi.

“Ky ishte kryetar te ne dhe punoi drejtor drejtorie te Ministria e Majkos. Vazhdon të drejtojë një shoqatë tjetër dhe ne mendojmë se kjo nuk përputhet me statutin. Nuk mund të jesh kryetar dhe atje të jesh drejtor. Kjo sindikatë ka pasur 18 mijë anëtarë. Aktualisht janë 12 mijë anëtarë. Janë mësues, punonjës ndihmës, sanitare etj.. Paguajnë kuotizacione, kuotizacioni është 100 lekë në muaj. Sindikata mbledh 80-90 milionë lekë të vjetra në vit. S’kemi asnjë pronë, mbahemi me kuotizacione. 30 deri në 40 për qind e fondit duhet të shkojë në seksione”, thotë ai.

Enriketa Zeqo, kryetare e seksionit të sindikatës në Berat thotë se, mendon ndryshe nga kryetari në lidhje me buxhetin, i cili është 82 milionë e 400 mijë lekë të vjetra.

“Kryetari e ka pagën 12 milionë të vjetra. Kryetari i nderit quhet Xhaferr Dobrushi, pagën e ka më të vogël. Rreth 56 për qind e buxhetit shkon për pagat e këtyre. Ne kemi pasur 3 punonjës më përpara. Buxheti është llogaritur për 150 milionë dhe ky buxhet është bërë enkas për të sfumuar pagat. Shpërndahet me letrat e atyre, po ne s’marrim asnjë gjë. Ta hetojë Prokuroria. Ne kërkojmë mbledhjen e këshillit të zgjeruar për këto abuzime”, thotë ajo.

Më pas tregon se kryetari në detyrë ka një fondacion të vetin dhe ka sjellë një pjesë të personelit dhe paguhen me lekët e arsimtarëve. Në zyrë ka lloj-lloj librash për ekstremizmin, sigurinë kombëtare, por jo për mësuesit.

Më tej shpjegon problemet e arsimit në Shqipëri.

“Kemi probleme me rritje burokracish në shkollë, moszbatim i udhëzimeve që nxjerr Ministria. Rasti i mësuesve me shkollë pedagogjike, që në 8 qarqe e marrin shtesën e pagës dhe në disa qarqe nuk e marrin. Kjo është kompetencë e kryetarit të hyjë në negociata me qeverinë. Ai tërë kohën tërheqje, nuk ka asnjë prononcim në media për federatën. Ne kërkojmë të mbledhë këshillin e zgjeruar për të arritur në Kongres. Ne nuk mbledhim dot këshillin, na pengon kryetari”, përfundon Zeqo.

Për të gjithë këtë problematikë, “Fiks Fare” filmoi një mbledhje të kësaj sindikate. Krahas problemeve të buxhetit dhe problemeve të moszbatimit të statusit, krerët e kësaj sindikate ngritën “duart lart” për këto probleme. Sipas tyre, askush nuk ka guxim t’i dalë përballë Edi Ramës dhe t’i kërkojë të drejtat e mësuesve.

“Qeveria është tallur. Drejtoritë Arsimore janë skandal. Një ministre që thotë, ajo që iku, shkarkoje drejtorin e Malësisë së Madhe, kur atij i kanë dhënë leje se ka ikur 6 muaj me letra në Amerikë. Ka vendosur një punonjëse të administratës dhe u thotë mësuesve, mua më kanë lënë këtu, unë s’jam drejtoreshë që të firmos. Drejtorë shkollash skandal”, tha kreu i seksionit në Shkodër.

Ndërsa Kryetari i Nderit, Xhafer Dobrusha iu përgjigj fare shkurt: Kush është ai që e mban mbi kurriz këtë, t’i dalë përballë Edi Ramës.

Ndërkohë, më i drejtpërdrejtë u shfaq kryetari në detyrë, Arjan Dyrmishi, i cili duket se ka humbur të gjitha shqisat e sindikalizmit.

“Historia ka rëndësi, se kjo organizatë konsiderohet si organizatë e majtë. Këto janë çështje vendimmarrjesh politike. Unë që të prononcohem kundër një qeverie që është e majtë dhe që presupozohet që kjo sindikatë është e majtë, ju mund të dilnit përsëri dhe mund të thoshit, për motive të dobëta si këto që po bëni tani, gjoja për t’u grindur me mua, që si na shan ti partinë tonë”, tha Dyrmishi në mbledhje.

MBLEDHJA E SINDIKATËS SË ARSIMIT

Kryetari i nderit – Jam unë thuaj, apo jeni…
Anëtarët – Të gjithë.
Anëtarja – Ne jemi të gjithë.
Kryetari i nderit – Kush i ka thirrur?
Anëtarja – Kryesia, seksioni. Dhe origjinalet i kemi ne dhe do t’i mbajmë ne. Dhe nuk ka këtu asnjë lloj rëndësie.
Kryetari i nderit – I mbani ju origjinalet pa i çoj në gjykatë pra.
Anëtari – Na çoni ju në gjykatë nëse ne kemi falsifikuar.
Kryetari i nderit – Jo, jo ne nuk ju çojmë në gjykatë fare, ne ju mbyllim derën. Këtë punë bëjmë ne.
Anëtarja – Ne i referohemi statutit për shkeljet që ka bërë kryetari. 82 milionë të ardhura nga fondet që mbledhim, nga kuotizacioni i mësuesve. Dhe 56 % kalojnë për rroga. Ju nuk po na dëgjoni dhe hera e parë, pse nuk na thirrët në datën 16 (shkurt) kur e lamë? Pse nuk na thirrët?
Kryetari i nderit – Pse s’kisha qejf.
Anëtarja – Kjo është një organizatë që mbahet me kuotizacionet e atyre mësuesve që i keni lënë në mes të katër rrugëve. S’kemi parë as rritje rrogash, as indeksim, as shpërblim, as mbrojtje. Dy vjet, kryetari…
Kryetari në detyrë – jemi organizatë vullnetare, ikin vetë ata.
Anëtarja – Ikin vetë?! Si ikin vetë?! Pse ky qënka misioni juaj, ta shpërndash sindikatën.
Kryetari në detyrë – Jo, jo.
Anëtari – Unë them këtë, që nuk përdoret sindikata për interesa të njërit apo tjetrit dhe për ta përdorur sikur e ka pronë. Po jo të bëhemi kaq budallenj ne, që të përdoret buxheti, të merret… Unë edhe atë shoferin po them që është përdorur pa kritere makina. Ka shpenzime të jashtëzakonshme. E përdor dikush, juve?
Kryetari i nderit – Unë e përdor.
Anëtari – Ju dolët në pension, apo jo?
Kryetari i nderit – Po. E ta gëzoni.
Anëtari – Tani merr punëtorë këtu, merr atje, rrogat… Ne nuk jemi ndërmarrje që kemi prodhim, ne aq janë, dhe kuotat sa po vjen dhe po shterin.
Anëtari 2 – Mësuesit janë në atë situatë, kur shkoj në shkollë, më thonë mu që jam mësues i vjetër: profesor paske ardhur me mbledh kuotat! Pse qeveria ia ka hekur shpërblimin prej 6 vitesh, pse s’reaguat. Është një e drejtë sipas Kodit të Punës, nëse e ke marrë 3 herë radhazi, s’mund ta hek kush. Pse s’u ngritët në protestë? Pse qeveria e vendos sipas dëshirës së saj rritjen e pagave, dhe ju nuk keni reaguar asnjëherë? Dhe rasti i mësuesve të pedagogjikes dhe më krijon shumë probleme, unë kam 60 mësues dhe disa kan ik, s’është ndonjë problem i madh. Është problem moral, qeveria është tallur. Me Drejtoritë Arsimore që janë skandal. Një ministre që thotë, ajo që iku, shkarkoje drejtorin e Malësisë së Madhe, kur atij i kanë dhënë leje se ka ikur 6 muaj me letra në Amerikë. Dhe ka vendosur një punonjëse të administratës dhe u thotë mesuesve mua më kanë lënë këtu, qarku Shkodër, unë s’jam drejtoreshë që të firmos. Drejtorë shkollash skandal. Dy shkolla u rrahën në Shkodër, në njërën u rrahën tri gra. Dhe erdhi Ministria e Arsimit dhe ka ngritur një komision atje dhe ato trei gratë janë çuar në vendet më të mira. Një djal i ri që s’kishte asnjë mbështetje, e shkarkuan fill, me dhunë .
Kryetari i nderit – Kush është ai që e mban mbi kurriz këtë, ti dalë përballë Edi Ramës.
Kryetari në detyrë – Nisëm të bënim një mbledhje, apo jo?
Anëtarja – Po.
Kryetari në detyrë – Të cilën, ti Keti, Stavri, Petrefi, e prishët. E prishët rrjedhën e një mbledhje normale, ku në atë mbledhje unë do të propozoja, ose do të parashtroja propozimet e mia në lidhje me çështjet të cilat egzistonin. Dhe një nga çështjet që lidhet me çfarë tha Isai, lidhet me qëndrimin politik. Tani e përmendi Xhaferri, meqënëse nuk i pëlqen historia Majlindës, por historia ka rëndësi se kjo organizatë konsiderohet si organizatë e majtë. Dhe unë e parashtrova në raportin tim, ashtu si arrita ta lexoja gjysma gjysma që thash që këto janë çështje vendimmarrjesh politike. Dhe unë që të prononcohem kundër një qeveria që është e majtë dhe që presupozohet që kjo sindikatë është e majtë, ju mund të dilnit përsëri dhe mund të thoshit, për motive të dobëta si këto që po bëni tani, gjoja për tu grindur me mua, që si na shan ti partinë tonë. Kjo është çështje…
Anëtarja – Ne jemi sindikalistë, nuk kemi ngjyrë partie, më vjen keq.
Kryetari në detyrë – Duro, duro.
Anëtarja – Pse e kanalizon kështu, ne jemi sindikalistë.
Kryetari në detyrë – Mos bërtit tashti. Dhe të gjitha, dhe këto që thotë Isai, nuk kanë të bëjnë… Se analiza bëhet shkak-pasojë. Kush janë shkaqet, jam unë shkaku për të gjitha këto parashtesat?
Anëtarët – Po. Ti je shkaku që nuk ke drejtuar absolutisht asgjë.
Kryetari në detyrë – Ju tani keni parashtruar disa vendime. I konsideroj fletushka, deri në momentin që unë nuk kam vajtur të ballafaqohem.
Anëtari – A ka sindikatë si ne, po apo jo, që të ketë dy kryetarë, të drejtojnë dy kryetarë? Me dy kryetarë, me kuotat e sindikalistëve nuk mbahet. Dy kryetarë nuk mbahen profesor, dhe paguhen dy. Dhe punon më shumë kryetari i nderit sesa kryetari i zgjedhur.
Kryetari i nderit – Të kam shqetësuar unë që kam ndëjtur këtu?
Anëtari – Jo, më ka shqetësuar ai që nuk është këtu.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel