Basha, kritika për anëtarët e Kryesisë së PD-së: Në protestë, jo në kafe

25/03/2019 16:50

Lulzim Basha e nisi javën duke u kërkuar llogari ish-deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë për protestat e organizuara nga opozita.

Kryedemokrati nuk i ka kursyer kritikat për prezencë të pakët dhe jo aktive në terren me qytetarët të zyrtarëve demokratë.

“Takime intensive me qytetarët dhe jo takime kafeneve me njëri-tjetrin”, citohet të ketë thënë Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Kryedemokrati nuk mundi të ishte në protestën e fundit për shkak të angazhimit në takime ndërkombëtare në Bruksel, por nga vërejtjet e tij la të kuptohet se nuk ishte i kënaqur me punën e Kryesisë së partisë.

Protesta e radhës së opozitës është të enjten para Parlamentit, ndërsa protesta e tretë kombëtare është lajmëruar pasditen e 13 prillit para Kryeministrisë.

Krahas kryeqytetit, kryedemokrati Basha kërkoi që protestat të shtrihen në çdo rreth, sipas problematikave të qytetarëve.

Takimet për organizimin e protestave me shumë gjasë do të marrin ngjyrimet e fushatës elektorale pas porosisë së zotit Basha se strukturat e Partisë Demokratike të jenë gati për zgjedhje të parakohshme në çdo rast.

Top Channel