Në sytë e mijëra të pranishmëve në Amsterdam Arena që prisnin spektakël dhe nuk u zhgënjyen, Holanda dhe Gjermania dhuruan një betejë në fundin e së cilës festuan miqtë. Në ndeshjen kulmore të së dielës në Euro 2020, ekipi i trajnerit Lëw u imponua 3-2.

Pas vetëm gjysmë orë loje tulipanët e panë veten në disavantazh të dyfishtë. Në fillim Leroi Sane’ dhe më pas perla e Gnabri’ shokuan vendasit por holandezët u shndërruan pas pushimit. De Ligt e ngushtoi në 2-1 avantazhin e Gjermanisë me një gol me kokë ndërsa portokallinjtë e shtuan presionin deri në barazimin e Memfis Depai. Kur pritej që skuadrat të ndanin pikët Shulz i dha Gjermanisë fitoren në minutën e 90.

Kroacia humbi 2-1 në transfertën e Budapestit përballë Hungarisë në një ndeshje ku shpërdoroi disavantazhin duke dalë pa pikë. Rebiç arriti të zhbllokojë rezultatin në “Groupama Arena” por pa shkuar në pushim, vendasit arritën të barazonin me Szalai. Rrjeta që bëri hungarezët të shpërthejnë në festë erdhi çerek ore nga fundi me Patkai, në zhvillimet e një goditjeje këndi.

Uellsi i trajnerit Rajan Gigs debutoi në grupin e tij kualifikues me një fitore të vështirë ndaj Sllovakisë. Ndeshja e luajtur në Kardif u vendos nga një gol i Den Xhejms pas vetëm 5 minutash lojë; perkursion i bukur nga Bruks në një aksion që çoi më pas sferën te anësori i Suonsit, për pikën kulmore të takimit.

Ndeshje e bukur edhe për Rusinë e cila shkëlqeu në transfertën e Kazakistanit ku fitoi 4-0. Skuadra e trajnerit Çerçesov kaloi në avantazh kur e majta fluturuese e Çerishev hasi në një përgjigje jo të denjë nga portieri Kazak. I njëjti lojtar dyfishoi rezultatin para pushimit. Në fraksionin e dytë Zjuba dhe një autogol e bënë fitoren e rusëve më komode.

Top Channel