“E diell” do të rezervojë sot për të gjithë teleshikuesit e Top Channel në fashën e orarit 15.15-18.15 një seri rubrikash, të ftuarish dhe perfomancash artistike që do ta keni shumë të vështirë për t`u shkëputur nga ekrani.

Ne po fillojmë t`iu joshim që tani… Do të jenë fëmijët e fondacionit “Down Syndrome Albania” që përmes ritmeve të muzikës së Kamela Islamaj dhe Orgesa Zaimit do të përcjellin mesazhin se paçka kromozomit të 21-të, ata janë dhe e ndjejnë veten të barabartë me gjithë të tjerët.

Kastro Zizo do të shpjegojë yjet, kujtimet me karrocën e tij me kushineta, muzikën që prodhonte teksa ishte pjesë e grupit muzikor “2-Farm” dhe “divorcin” e tij prej 5 muajsh nga alkooli.

Adrola Dushi dhe Kristina Bakiu, dy bukuritë shqiptare që kanë përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në konkurse ndërkombëtare, do të tregojnë miqësinë e veçantë të tyre, do t`i nxjerrin të palarat njëra-tjetrës si dhe do të gërmojmë në fëmijërinë e Adrolës, paragjykimet që ajo pati kur la Rrëshenin dhe erdhi në Tiranë dhe jetën reale përtej Instagramit që nuk është aspak ajo që duket.

Lali dhe Luli sot do t`i kërkojnë vajzave të dalin për darkë me ta. Do arrijnë t`ua mbushin mendjen? Në “Escape”, një afrikan që ka 19 vite që jeton në Shqipëri do të tregojë të gjitha zakonet më të çuditshme të Nigerisë dhe një kërcim me ritme afrikane nga trupa profesioniste e “E Diell”, do t`i japë një shije ekzotike të dielës suaj.

Mbajeni adrenalinën lart pasi edhe këtë puntatë, “Cirku Kombëtar” ka përgatitur numrat më specialë nga mjeshtri i xhonglimit. Make Up Artisti më i kërkuar i momentit, Arbër Bytyqi do të transformojë brenda 40- minutave ashtu siç nuk e keni parë kurrë më parë Adrola Dushin.

Qëndroni deri në fund për ta parë dhe ndërkohë mos humbisni as “100 fshatrat” ku këtë herë fokusi do të jetë në Roshnik të Beratit, por as shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër që po arsimon baristen e parë femër që përgatit kokteile. Kjo është vetëm maja e ajsbergut të “ E Diell”, pjesën tjetër mjafton që t`i mbaroni të gjitha aktivitetet që në 15.15 ta shijoni në maksimum spektaklin plot ngjyra në Top Channel!

Top Channel