E kërkon Reali, “Football Leaks” zbulon pagën e Pogbasë

23/03/2019 20:07

Paul Pogba është rikthyer në listën e dëshirave të Realit të Madridit, e kjo ndodh me rikthimin e Zinedine Zidane në pankinën e klubit “merengues”.

Nëse “Los Blancos” do të arrijnë të sigurojnë shërbimin e mesfushorit kampion të botës, do të sillnin në skuadër një futbollist që do të ishte ndër 3 më të paguarit te Reali i Madridit.

Sipas asaj që zbulon “Football Leaks”, Paul Pogba përfiton nga kontrata me Manchester United një pagë që varion nga 10-12 milionë euro në sezon, shifër që do ta poziciononte në vendin e tretë te skuadra madrilene, pas Gareth Bale që përfiton 14 milionë euro dhe Sergio Ramosit që përfiton 11 milionë euro në sezon.

Duke vijuar me këtë hipotezë, Pogba ka të njëjtën pagë si ajo e Luka Modriç, fitues i “Topit të Artë”, dhe Benzema. Por, kjo pagë e francezit mund të përmirësohet edhe më shumë, nëse francezi do të firmosë me klubin spanjoll.

Në këtë pikë do të jetë Zidane që do të thotë fjalën e fundit, e sidomos agjenti i Pogbasë, Mino Raiola, i cili përfitoi 48 milionë euro nga transferimi i francezit te Manchester United.

Top Channel