Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi në mënyrën më të keqe fushatën kualifikuese për Europianin 2020 me një humbje 0-2 në shtëpi ndaj Turqisë që komplikon që në start, ëndrrën për të shkuar në fazën finale.

Përfaqësuesja kuqezi ishte thirrur nën armë në stadiumin “Loro Boriçi” për të marrë pikë ndaj një rivali jo të pakalueshëm, por u dorëzua me nga një gol për çdo pjesë, ndërsa tifozët ofenduan në kor trajnerin Panucci, para se të linin shkallët e impiantit pa u mbyllur sfida.

Shqipëria e nis në sulm sfidën me turqit por Balaj, Uzuni dhe Balliu shpërdoruan disa mundësi që mund ti kishin dhënë ndeshjes një rrjedhë tjetër. Por goli erdhi në skajin tjetër në një aksion pa shumë pretendime nga miqtë kur gabimi i Gjimshitit solli dhe rrjetën e Burak Jëllmaz brenda zonës.

Kuqezinjtë provuan pa sukses të rikthenin barazpeshën madje në një rast pretenduan për penallti me Uzunin, gjithcka nën injorimin e arbitrit Shtiler.

Në minutën e 55 Turqia shënoi dhe golin e dytë me një zbritje të shpejtë në sulm që u finalizua në mënyrën më të bukur. Çallhanollu shkarkoi në rrjetë një të djathtë të fuqishme e cila mposhti sërish Etrit Berishën.

Nën koret ofenduese të tifozëve në stadiumin e Shkodrës, trajneri Panucci bëri menjëherë dy zëvendësime për të ndryshuar lojën.

Por as ata që u futën dhe as titullarët e fillimit, u duk se nuk dinin ose nuk donin të zbatonin çfarë kërkonte stoli. Minutat e mbetura nuk sollën asgjë të re, dhe Shqipëria arkivoi një humbje në debutim, mori atë që meritoi dhe qëndron në kuotën 0 në renditjen e grupit H.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel