Kanë mbetur vetëm pak orë nga starti i sfidës Shqipëri-Turqi, e cila do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe do të jetë e para e edicionit eliminator Euro 2020, për kuqezinjtë e Panuccit.

Djemtë kuqezi kanë udhëtuar që pasditen e djeshme drejt Shkodrës, ku kanë kryer një seancë stërvitore në stadium, për t’u grumbulluar më pas në një nga hotelet e qytetit, ku do të qëndrojnë deri në orën 19:00, për t’u nisur drejt stadiumit.

Atmosfera në Shkodër është mjaft e mirë, e ndihmuar edhe nga një mot tërësisht pranveror që mbizotëron në qytet, ndërsa sipas burimeve të TCH, janë shitur më tepër se 11 mijë bileta, ndonëse ky proces do të vijojë deri në orën 18:00.

Shqipëria është përballur plot 10 herë me Turqinë, në të gjitha kompeticionet, përfshi edhe ndeshjet miqësore, ndërsa bilanci ëshët tërësisht i barabartë, me 4 fitore të kuqezinjve, 4 të turqve dhe dy barazime.

Gjithsesi, mbrëmjen e sotme shpresat janë që kuqezinjtë të prishin këtë balancë në favorin e tyre, për të nisur me këmbën e mbarë një edicion eliminatore nga i cili Shqipëria pretendon të sigurojë një biletë për në Euro 2020.

Trajneri Panucci do të ketë në dispozicion thuajse të gjithë lojtarët më të rëndësishëm, pasi mungesat janë me pikatore dhe për herë të parë, në reparte të caktuara italiani do të ketë luksin e zgjedhjes.

Sfida Shqipëri-Turqi do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport 2, për të gjithë abonentët e Digitalg.

Top Channel