Sot festa e Sulltan Novruzit; Ceremonia në selinë e kryegjyshatës botërore në Tiranë

22/03/2019 16:40

Dyert e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashianëve ishin hapur këtë të premte për të gjithë besimtarët që festojnë Sulltan Nevruzin. 22 Marsi një ditë e bekuar fisnikërie për bektashianët, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e natyrës e të shpirtit.

Ndezja e qirinjve, gjithashtu edhe falja në tyrbe janë disa nga ritet në këtë ditë të bekuar për besimtarët myslimanë bektashinj.

Duke uruar festën, kryegjyshi botëror I Bektashianëve Edmond Brahimaj, u kërkoi të gjithë shqiptarëve të kenë më shumë dashuri me njëri tjetrin. Në fjalën e tij ai u bëri thirrje politikanëve dhe të rinjve që duan të braktisin vendin si dhe dënoni aktin terrorist në Zelandën e Re.

Sulltan Nevruzi bëri bashkë edhe politikanët, të cilët pasi morën bekimin dhanë mesazhe urimi.

Veç urimit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e pyetur nga Top Channel thirrjes së baba Mondit iu përgjigj se djegia e mandateve tregon dashurinë për kombin. Si dhe në të njëjtën gjuhë me presidentin Meta, bashkëshortja e tij mori shembull vdekjen e prijësit të bektashinjve Abaz Aliut për vendosjen e demokracisë.

Top Channel