Zbardhet mënyra se si biznesmeni indian Nitin Sandesara ka marrë nënshtetësinë shqiptare bashkë me të vëllanë. Zëdhënësi i Presidentit sqaron se, kërkesa për dhënien e përparësisë së nënshtetësinë është bërë nga Ministria e Turizmit dhe e mjedisit e cila drejtohej nga Blendi Klosi.

“Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, ‘për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë’. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Presidentit.

Por Nitin Sandesara i akuzuar në vendin e tij për zhdukjen e 725 milionë dollarëve, është emëruar Konsull Nderi në 2018 nga ministri Ditmir Bushati.

Vetë Bushati në një postim ne rrjetet sociale sqaron se, konfirmon emërimin, por shprehet se përgjegjësia është e agjensive ligjzbatuese në të dyja vendet, Shqipëri dhe Nigeri.

Ndërkohë në Tiranë dhjetë dite pas ardhjes së urdhrit të arrestimit policia shqiptare arrestoi kunatin e Sandesares Hiteshkumar Patel, i cili ishte duke u larguar nga aeroporti i Rinasit.

Edhe ai ishte pjesë e kërkimit ndërkombëtar për zhdukjen e miliona dollarëve, dhe është vëllai i bashkëshortes të vëllait tjetër Cetan Sandesaras.

Sipas Times of India, agjencitë ligjzbatuese të Indisë kanë nisur menjëherë kontaktet me Interpolin dhe autoritetet shqiptare për të nisur sa më parë procedurat e ekstradimit të Patel në Indi.

Patel ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë Sterling Biotech dhe sipas mediave indiane arkitekti që krijoi skemën gjigande të mashtrimit financiar.

Përmes kompanisë Sterling, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliardë dollarë amerikan kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore.

Autoritetet indiane dyshonin se vëllezërit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të vitit të kaluar ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Top Channel