Punimet për rikualifikimin e kalldrëmeve të Pazarit historik të Gjirokastrës kanë sjellë shqetësimet e para për qarkullimin jo vetëm të mjeteve, por edhe të këmbësorëve.

Bashkia ka marrë masa për çeljen e shtigjeve alternative për këmbësorët, por autoritetet lokale shprehen të shqetësuar për situatën.

Edhe bizneset, me gjithë faktin se bien dakord që ndërhyrja ishte e nevojshme, e kanë ndierë problematikën dhe kaosin e shkaktuar prej ndërhyrjes, e sidomos praninë e lartë të pluhurit që shkaktojnë punimet. Vijimësia e masave që do të pasojnë sezonin mbetet për t’u parë.

Debatet dhe diskutimet që lidhen me ndërhyrjet rehabilituese të rrugëve në qendrën historike kanë nisur muaj më parë, por situata po bëhet më e qartë ndërsa po çelet sezoni turistik dhe i gjithë pazari është transformuar në një kantier të madh ndërtimi.

Kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami tha se sezoni do të ketë probleme madhore dhe se shtigjet vetëm sa do të lehtësojnë situatën, por nuk pritet ta zgjidhin atë.

Ndërsa qyteti është përgatitur të presë rreth 20% më shumë turistë këtë vit, bizneset mendojnë se duheshin parashikuar problemet dhe menduar zgjidhjet.

Gërmimet për restaurimin po zbulojnë një rrjet të mirëndërtuar kanalizimesh, një kolektor gjigant dhe shumë mjedise të nëndheshme të njësive të pazarit. Studimi pritet të hedhë dritë edhe mbi funksionin e kësaj zone para ndërtimit të pazarit. Gjetjet deri tani kanë provuar se kjo pjesë e qytetit ka pasur një zhvillim edhe para periudhës 300-vjeçare kur daton pazari tradicional dhe qendra historike.

Top Channel