Arkëtarja e postës Voskopojë, përvetëson prej vitesh miliona lekë të derdhura nga qytetarët për kontributet vullnetare. Deri më tani nga ankesat e 8 qytetarëve është verifikuar që janë zhdukur rreth 5 milion lekë të vjetra.

Shuma pritet të rritet, pasi qytetarët ankohen se nuk kanë marrë pensionet apo rezultojnë të mos kenë paguar energjinë elektrike, ndërkohë që librezat i kanë të firmosura. As posta dhe as sigurimet shoqërore nuk e kanë të qartë se kush do paguaj lekët e munguara të qytetarëve që në dorë u kanë mbetur vetëm faturat e arkëtimeve e mbi të gjitha humbasin të drejtën për pension.

Fiks Fare udhëtoi drejt Voskopojës për të verifikuar ankesën e disa banorëve që pretendonin se pagesat e bëra prej tyre pranë postës nuk figuronin në listë. Gazetarët intervistuan qytetarë të ndryshëm pranë zyrave të postës të cilët ankoheshin se zhdukja e lekëve ishte një histori e përsëritur. Edhe në disa raste të tjera qytetarët edhe pse kishin bërë pagesat dhe librezat ishin të vulosura rezultonin debitor.

Punonjësja e vjetër e postës që kishe përvetësuar paratë kish punuar aty për më shumë se 20 vite, por ish larguar nga Drejtoria e Postës Korçë, pas relacionit që kishin bërë sigurimet shoqërore për zhdukjen e 5 milion lekëve. Punonjësja e re e postës u mundua të ndalonte gazetarët e Fiksit të intervistonin qytetarët duke larguar kamerën me dhunë, duke dalë para saj. Banorët më të drejtë ishin të revoltuar dhe nuk u stepën nga veprimi i punonjëses.

Gazetarët intervistuan drejtorin e Postës Korçë i cili tha se behët fjalë për shuma të mbartura që prej vitit 2005, kryesisht pagesa të kontributit vullnetar. Sipas tyre pas auditit që bën pas relacionit të Sigurimeve Korçë u vunë re shkeljet e punonjëses e cila është larguar menjëherë nga puna dhe çështja është çuar për ndjekje penale. Por sipas tij nuk ka dijeni se kush do t’i bëj këto pagesa të munguara, ndoshta punonjësja që një pjesë ka filluar ta shlyej. Ai thotë që relacioni për shkeljet erdhi nga Sigurimet Shoqërore dhe në bazë të verifikimeve rezultoi se shkeljet ishin kryer, plus edhe pranimit që vetë punonjësja pohoi se i kishte përvetësuar këto para.

Specialisti i Sigurimeve Shoqërore Korçë theksoi për Fiksin që rasti u zbulua pas ankesave të qytetarëve, por që nga ai moment kanë vijuar ankesat edhe nga qytetarë që figurojnë që i kanë tërhequr pensionet, por në fakt ata pretendojnë të kundërtën. Nga këto pretendime shifra e “vjedhjes” mund të jetë akoma më e lartë, por këtë do ta verifikojnë organet kompetentë. Për sa i përket shlyerjes se këtyre lekëve që mos të bien në kurriz të qytetarëve, sipas specialistit për kontributet nuk ka një marrëveshje me postën dhe situata është e paqartë, ndërsa për pensionet është posta që duhet ta shlyej, pavarësisht se kush e ka bërë vjedhjen.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel