Teksa ish-kolegët e tij janë grumbulluar për të protestuar jashtë Kuvendit, Myslym Murrizi, një prej të paktëve deputetë të opozitës të cilët nuk e dogjën mandatin, ka mbajtur fjalën në seancën ku u betuan 3 deputetët e rinj.

Myslym Murrizi u kërkoi deputetëve të rinj që vijnë nga lista e PD dhe LSI, që të votojnë reformën zgjedhore dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Kryetari i grupit Parlamentar Taulant Balla foli për Kodin Zgjedhor. Për mua duhet prishur sistemi politik që në prill 2008, largoi të zgjedhurit nga zgjedhjet. Atje jashtë në protestë flasin në emër të popullit. Këtu brenda flasim në emër të popullit. Pse i fshihemi me kaq frikë popullit. Tre palë zgjedhje që i fshihemi votës së këtij populli. Hyjmë në lista si struci dhe rrisim servilizmin, edhe kur jemi në pushtet, jemi në opozitë”, tha Murrizi.

Ai ngriti pyetjen nëse ka vullnet për ta çuar pushtetin te zgjedhësit? “Kjo është një thirrje e imja që do ta votoja me dëshirë, ndryshimin e këtij sistemi zgjedhor”, theksoi ai.

Deputeti i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Enver Roshi theksoi se misioni i deputetëve të rinj është ta çojnë Shqipërinë në Europë.

Në fjalën e parë në Kuvend, deputeti Roshi iu kërkoi kolegëve parlamentarë të mbështesin deputetët e rinj kundrejt presioneve.

“Jemi qytetarë të lirë. Kemi të drejtë të shprehemi dhe mendimi ynë nuk është në aspektin personal që kemi ardhur në këtë parlament”, tha ai.

“Ne duam të shkojmë në Europë, populli do të shkojë në Europë dhe politikanët duhet ta bëjnë këtë, ta çojnë Shqipërinë në Europë dhe kjo është thirrja pse ne kemi ardhur në Kuvend”, shtoi ai.

Po ashtu, deputeti Roshi ka shprehur dakordësinë në lidhje me marrëveshjen mes qeverisë gjermane dhe qeverisë shqiptare për t’i dhënë një impuls zhvillimit rural.

Top Channel