Rudina Hajdari mbajti fjalimin e parë në Kuvend, që pas djegies së mandateve nga kolegët e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.

Vajza e ish-udhëheqësit të dhjetorit ishte e drejtpërdrejtë në mesazhet e saj, që nga arsyet e refuzimit për djegien e mandatit, e deri te pasojat negative që i sjell Shqipërisë vendimi i opozitës.

“Dorëzimi i mandateve në bllok për të detyruar apo për të shpejtuar një kalim të pushtetit sot, nuk është gjë tjetër përveç një përshkallëzimi ekstrem të sjelljes politike të këtyre 28 viteve. Ripërsëritja e krizave të brendshme politike, sidomos në prag të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian jo vetëm ngadalëson procesin e integrimit, por edhe na ekspozon në mënyrë të rrezikshme ndaj influencave të tjera. Shqipëria në asnjë lloj mënyre nuk duhet të shihet si një faktor destabilizues në Ballkan”, Rudina Hajdari, deputete demokrate.

Rudina Hajdari u tregoi kolegëve të saj në Kuvend se ka në plan të sjellë idetë e saj, si nisma ligjore me qëllim madhor.

“Në ditët dhe në muajt që do të vijnë do të vij me propozime konkrete për të ndryshuar dhe për ta kthyer vendin në normalitet. Unë dua të sjell një model të ri politik, një frymë të re parlamentare që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit në Shqipëri”, tha e bija e Azem Hajdarit.

Familja e Azem Hajdarit është e ndarë në qëndrim, pas vendimit që mori opozita. Ndërsa Rudina vendosi të mbajë mandatin, vëllai i saj Kiri shprehu vendosmërinë të qëndronte përkrah kryetarit demokrat Basha, që udhëheq ptotestën e opozitës.

Top Channel