Protesta e thirrur nga partitë opozitare, PD dhe LSI, këtë të enjte, duket se e ka “përfunduar” misionin e saj përpara Kuvendit të Shqipërisë, aty ku pati jo rrallëherë edhe përplasje dhe konfrontime me forcat e rendit, që ishin të shumtë në numër për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e punimeve të Parlamentit.

Pikërisht për shkak të përplasjeve me disa efektivë, disa prej protestuesve përfunduan të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, vend tek i cili u zhvendos protesta pak pas mesditës.

Ish-deputetë demokratë dhe protestues militantë që i ndoqën nga pas, kërkuan me çdo kusht lirimin e të shoqëruarve. Ata u shprehën se nuk do të lëviznin prej andej pa liruar çdo protestues të opozitës.

E ndërsa kordoni policor i mban larg Drejtorisë protestuesit, deputetët kanë mundur të hyjnë brenda dhe negociojnë me policët lirimin e të shoqëruarve.

Top Channel