Mali i Zi përkrah çdo zgjidhje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, por nuk e mbështet idenë e korrigjimit të territoreve.

“Ne nuk përzihemi në çështjet mes dy vendeve”, tha ministri i Jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviç, gjatë ndalesës në kryeqytetin kosovar. “Por, kemi disa shqetësimë lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territoreve, të cilën nuk e shohim si idenë më të mirë”.

“Megjithatë – shtoi kryediplomati malazez, – nëse kjo është diçka e mirë për fqinjët dhe ata merren vesh, atëherë do të jetë e mirë edhe për ne”.

Qëllimi është gjithmonë që në Ballkan të mbyllen çështjet e hapura.

“Shpresojmë që Serbia dhe Kosova të gjejnë zgjidhje për marrëdhëniet e tyre”, shtoi ai.

Ministri malazez nënvizoi gjithashtu se, zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi do të nënkuptonte që të dyja vendet ta njohin njëra-tjetrën. Darmanoviç dhe kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, u pyetën edhe mbi marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, të cilën Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar 21 marsin e vitit 2018.

Si për Pacollin, ashtu dhe për homologun e tij, kjo çështje “konsiderohet e mbyllur” dhe se tani është në dorën e komisioneve ndërshtetërore që të bëjnë shënimin e vijës kufitare.

Top Channel