Kramp-Karrenbauer, e cila tani drejton CDU-në, partinë më të madhe në Gjermani, thotë që bashkatdhetarët e saj po bëhen njerëzit më të ngurtë në botë, pasi e qortuan për një shaka që ajo bëri gjatë sezonit të rrëmujshëm të karnavaleve, kur tha se diskutimi për banjat e gjinive të treta (transvestitëve) është midis burrave që s’vendosin dot nëse duhet të urinojnë ulur apo në këmbë.

Pavarësisht qortimeve, ajo nuk kërkoi falje. Madje, tha që ishte absurde që të kritikoheshin shakatë që bëheshin pikërisht gjatë karnavaleve, kur fëmijët dhe të rriturit vishen si kauboj e indianë, dhe hedhin fishekzjarrë.

Dhjetorin e shkuar, Kramp-Karrenbauer fitoi kundër një rivali konservator në zgjedhjet për të zëvendësuar Angela Merkelin, kancelaren e tanishme të Gjermanisë dhe mentoren e saj, si udhëheqëse të CDU-së. Kur Merkeli të largohet nga zyra, Kramp-Karrenbauer do të ketë mundësinë të bëhet kancelare. Shumë nga e djathta, të cilët janë lodhur me politikat e Merkelit, pasi anonin nga qendra, druanin se Kramp-Karrenbauer do të sillte të njëjtën gjë për vitet e ardhshme. Por duket se ajo po përpiqet t’u ndryshojë mendjen.

E veshur me kostum për karnavale, ajo bëri një batutë kundër transgjinorëve, që u mor si anim nga zgjedhësit e krahut të djathtë, pasi tha që banjat për transgjinorë janë debate për burra që s’vendosin dot nëse duan të urinojnë ulur apo në këmbë.

Zëvendësuesja e Merkelit po nis ta forcojë që tani profilin e djathtë e konservator të CDU-së. Duke mos pasur ndonjë ministri nën përgjegjësi, ajo ka qenë e lirë të vërë në dukje ndryshimet që ka me Social Demokratët, partinë në koalicionin qeverisës të CDU-së, me çështje që nga pensionet e deri te eksporti i armëve. Sulmi që po u bën atyre që duan të qëndrojnë “politikisht korrektë”, gëzon mbështetje nga baza e djathtë të partisë. Social-Demokratët, të cilët janë mbytur politikisht nga koalicioni me Merkelin, po e ndjek lojën e saj me kënaqësi.  Është krijuar një ndjesi se politika e partive gjermane po përpiqet të dalë nga politika e gjatë që ka ndjekur Merkeli.

Edhe në politikë, Kramp-Karrenbauer po jep shenja se do të anojë djathtas. Gjatë një takimi të fundit të CDU-së ajo mbështeti idenë e një ligji për të mbyllur kufijtë e vendit në rast të një vale tjetër emigrimi. Kjo trazoi të moderuarit që kishin mbështetur qasjen e Merkelit në 2015, për të hapur kufijtë, por  shumica tani e pranojnë idenë se duhet krijuar një lloj bashkimi i brendshëm.  Një nga deputetët gjermanë thotë se atmosfera brenda CDU-së është shumë optimiste tani.

Karrenbauer nuk kërkoi falje për deklaratën ndaj transgjinorëve, por tha që është qesharake që dikush të qortohet për shaka që i bën pikërisht gjatë karnavaleve, kur të gjithë maskohen për të bërë shaka. Në këtë foto është në karnavalet e vitit të shkuar, e veshur si pastruese.

Por se sa do ta joshë kjo qasje gjermanin e zakonshëm në zgjedhje, është çështje tjetër. Manfred Gylner, nga kompania e sondazheve Forsa, tha se votuesit që i janë larguar CDU-së kanë prirje pak më të forta për nga qendra se ata që vazhdojnë ta mbështesin. Kjo tregon se duke anuar djathtas, Kramp-Karrenbauer po peshkon për vota në liqenin e gabuar. Por si kryeministre e Saarlandit, një shtet i vogël gjerman, të cilin ajo e ka drejtuar për shtatë vite, Kram-Karrenbauer ka ndjekur një rrugë të moderuar e pragmatike. Këto instinkte ndoshta japin idenë se si ka për të vepruar dhe si kancelare.

Javën e shkuar, Kramp-Karrenbauer solli disa ide reformash për BE-në, si përgjigje ndaj një artikulli të botuar disa ditë më parë nga presidenti francez, Makron, i cili bënte thirrje të forta për reforma. Lista e saj, e cila duhet të ketë marrë dhe miratimin e Merkelit, bënte thirrje provokuese për të mbyllur selinë e Parlamentit Europian në Strasburg, dhe që Franca të hiqte dorë nga vendi që ka në Këshillin e Sigurisë të BE-së. Ministrat francezë, të pakënaqur, ishin në pozitë të vështirë, sepse tani duhej t’i përgjigjeshin jo drejtueses së qeverisë, por drejtueses së një partie politike.

Pranimi i emigrantëve që u bë nga Merkel i ka shqetësuar të djathtët, që përbëjnë bazën e CDU-së. Kur ajo zgjodhi Karrenbauerin si pasuese, kjo bazë mendoi se vazhdimi do të ishte i njëjtë si me Merkelin. Por gruaja që ka shumë gjasa të jetë kancelarja e ardhshme duket se po punon që tani që t’ua fitojë zemrat, duke anuar gjithnjë e më djathtas me deklaratat.

Tani që drejtuesja e CDU-së po merr rolin e kancelares në pritje, Berlini duhet të pyesë veten se kur do t’ia kalojë Merkeli frerët e qeverisë të mbrojturës së saj, Kramp-Karrenbauerit. Nëse ndodh para se të mbarojë mandati si kancelare, (2021), Social Demokratët mund të largohen nga qeveria e ta detyrojnë vendin të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por të dyja gratë këmbëngulin që ndryshimet nuk pritet të ndodhin së shpejti, dhe, në fakt, dy të tretat e gjermanëve duan që Merkeli ta çojë mandatin deri në fund. Por kështu si po përpiqet Kramp-Karrenbauer të krijojë territorin e saj, disa kanë nisur të ngrenë pyetjen nëse do të zgjasë dot deri kur Merkeli të jetë larguar.

The Economist

Top Channel