Është data 16 Mars e vitit 2019, dhe opozita ka paralajmëruar një protestë të madhe pas aktit ekstrem të djegies së mandateve.

Tensioni është i lartë. Imazhet e përplasjeve para kryeministrisë dhe Kuvendit janë ende të freskëta.

Adrian Domi është një efektiv policie i Tiranës dhe banon në zonën e Laprakës.

Për Adrianin kjo nuk është një ditë e zakonshme pune. Ai nuk e di se çfarë e pret në protestë! Por duke parë përplasjet e javëve të fundit, përgatitja duhet të jetë për çdo situatë.

Ndërkohë në Tiranë, efektivi i policisë ka lënë banesën e tij, dhe është nisur drejt protestës që pritet të mbahet pas pak.

“Sot është një ditë ndryshe se ne paraqitemi në vendin e caktuar, në afërsi të vendit ku kryhet protesta, atje merren detyra specifike, ndryshe nga ditë normale që paraqitemi në komisariat ku çdokush paraqitet në sallën e mbledhjeve ku jepet instruktazhi”, tregon për Top Story Efektivi i Policisë së Shtetit Adrian Domi.

Përgjatë rrugës për në sheshin ku do të mbahet tubimi, Ardiani tregon për karrierën e tij, në radhët e Policisë së Shtetit.

“Unë aktualisht jam me shërbim në komisariatin numër 2 oficer i patrullës, me gradën inspektor, më përpara kam qenë në strukturat e addministratës së policisë. E kam filluar këtë profesion prej 10 vitesh”, tregon për Top Story Efektivi i Policisë së Shtetit Adrian Domi.

Veç Akademisë së Policisë, ky efektiv policie është tepër i kualifikuar. Ardiani ka përfunduar studimet e larta në degët, Drejtësi dhe Ekonomi. Po ashtu, ai ka kryer një sërë specializimesh të ndryshme në sektorin e rendit dhe të informatikës.

“Pavarësisht se isha në strukturat civile në shërbimet e personelit si dhe specialist i lartë i financës drejtorisë së Tiranës, nga pasioni dhe pjesa që u rrita në polici, i vura qëllim vetes ta përfundoj dhe akademinë e policisë duke qëndruar brenda policisë, por këtë radhë në shërbim të publikut dhe një pejsë e investuar në terren”, tregon për Top Story Efektivi i Policisë së Shtetit Adrian Domi.

Top Channel