Kombëtarja shqiptare e U21-shit do të nisë të shtunën rrugëtimin për në kampionatin Europian të vitit 2021, teksa më 23 mars në orën 19:00 do të presë Turqinë në “Elbasan Arena”.

Atmosfera përpara kësaj përballjeje duket pozitive në kampin e lojtarëve kuqezi, të cilët shpresojnë t’i nisin mbarë këto kualifikuese, gjë që u theksua edhe nga Giacomo Vrioni, që thekson gjithashtu se nuk do ta ndërronte Shqipërinë me asnjë kombëtare tjetër.

“Shpresojmë të bëjmë maksimumin si në çdo ndeshje të sezonit të kaluar eliminator dhe të na vijnë sa më shumë njerëz për të na përkrahur. Synimi është të bëjmë më të mirë dhe jemi të sigurt që do e bëjmë këtë dhe do kërkojmë tre pikët në çdo takim. Kombëtarja? Unë e kam bërë zgjedhjen time, kam qenë edhe në kombëtaren e madhe dhe luajta 20 minuta kundër Izraelit. Rivalët e grupit? Të gjitha ekipet në grup janë të forta, të gjithë jemi njësoj. Do japim të gjithë maksimumin për të grumbulluar sa më shumë pike”.

Në të njëjtën linjë me Vironin ishte edhe Omar Imeri, që në të njëjtën kohë tha se ndihet i lumtur që zgjodhi Shqipërinë para Maqedonisë.

“Nuk na kënaq barazimi, shpresoj të japim maksimumin në fushë dhe të fitojmë ndeshjen. Është ndeshja e parë dhe është e rëndësishme. Besoj se do e fitojmë. Shpresojmë t’i marrim gjashtë pikë në këto dy ndeshje. Na rreh gjaku të luajmë për Shqipërinë. Jam i kënaqur për zgjedhjen që kam bërë”.

Sfida e 23 marsit midis Shqipërisë dhe Turqisë do të luhet në orën 19, në “Elbasan Arena”, dhe hyrja do të jetë falas për sportdashësit. Pas tri ditësh, kuqezinjtë e vegjël udhëtojnë për të luajtur në transfertën e Andorrës.

Top Channel