Kryeministri italian Giuseppe Conte deklaroi se vendi i tij do t’i bashkohet nismës kineze të njohur si “rruga e mëndafshit”, një lëvizje kjo e parë me dyshim si nga Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe nga vet anëtarët e koalicionit qeverisës.

Kina ka premtuar 124 miliardë dollarë për nismën, e cila synon ta lidhë atë me Afrikën, Azinë dhe Europën përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe parqesh industriale.

Për Conten, nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit këtë javë në Romë, me delegacionin e lartë kinez të drejtuar nga vet presidenti Xi Jinping, nuk përbën asnjë rrezik.

Nënshkrimi nga ana e Italisë konsiderohet një hap i madh drejt legjitimimit të një projekti që parashikon lidhje tokësore dhe detare mes Kinës dhe Europës.

Shtetet e Bashkuara janë skeptike ndaj projektit miliarda dollarësh “një brez, një rrugë” dhe ka paralajmëruar mbi rrezikun e asaj që njihet si diplomacia e kurthit të borxhit.

Edhe vendet e BE-së e shohin planin me shqetësimin se ai mund të thellojë edhe më shumë plasaritjet mes një koalicioni, që edhe kështu është mjaft i tensionuar.

Top Channel