Të enjten nisin kualifikueset për edicionin e 16 të kampionatit europian. Do të jenë pikërisht Kazakistani dhe Skocia, ekipet kombëtare që do të shkelmojnë topin e parë në “Astana Arena” të kryeqytetit kazak, duke nisur nga ora 16. Nesër po ashtu do të luhen edhe 9 ndeshje të tjera, për të vijuar më pas të premten me 7 ndeshje dhe të shtunën me 8 të tjera.

Një Europian ndryshe nga të tjerët, me një formulë të re për shkak të ndikimit të Ligës së Kombeve, kompeticionit më të ri të UEFA-s në rang kombëtaresh. Pikërisht këto dy turne do të integrohen me njëri-tjetrin.

Kualifikueset për “Euro 2020”, që do të zhvillohen përmes 10 grupeve (5 me nga 5 skuadra dhe 5 me nga 6 skuadra) pas 8 muajsh, më 19 nëntor do të japin verdiktet e tyre: kualifikohen dy të parat e çdo grupi, që do të thotë 20 kombëtare. Katër të fundit do të vijnë nga “play off”-et mes kombëtareve “të pakualifikuara” të marsit 2020, në të cilat marrin pjesë skuadrat fituese të ligave të “Nations League”, ose nëse ato e kanë siguruar kualifikimin me kualifikueset e 2019-s, futen ekipet që pasojnë në klasifikimin e Ligës së Kombeve, nga një për çdo seri.

Për ta kuptuar këtë, sjellim rastin e Portugalisë që fitoi grupin 3 të Ligës A të “Nations League” ku bënte pjesë edhe Italia. Nëse portugezët nuk kualifikohen në grupin e kualifikuesve të 2019-s, do të kishte një tjetër mundësi me “play off”-et e 2020-s (pasi ka fituar grupin në Ligën A), ndërkohë që nëse kualifikohet përmes kualifikueseve, do t’ia linte vendin një tjetër kombëtareje të Ligës A në “play off”. Në këtë rast vlen të theksohet se nuk futen direkt të dytat apo të tretat e të njëjtit grup, siç ishte Italia apo Polonia në rastin e Portugalisë, por ai që ndjek në renditjen totale të Ligës A.

Por si e sheh “Gazzetta dello Sport” grupin H, ku bën pjesë ndër të tjera edhe Shqipëria e drejtuar nga Christian Panucci?

Në grupin H – shkruan e përditshmja sportive italiane, – bën pjesë Franca kampione e botës, që nuk besohet të ketë pengesa të mëdha. Edhe pse u mposht nga Holanda në Ligën e Kombeve (e para humbje që prej marsit 2018, pas 17 ndeshjesh), nuk mund të rrezikohet nga Islanda që zhgënjeu në Botëror dhe ra në Ligën B të “Nations League”, apo nga Turqia që ra në Ligën C, e cila iu beson ende lojtarëve të tillë si 38-vjeçari Emre apo 33-vjeçari Burak Yilmaz.

“Ndaj, për vendin e dytë do të duelohet edhe nga Shqipëria e Christian Panuccit, që vështirë se do të përsërisë suksesin e kualifikimit në Europian nën drejtimin e De Biasit, por që në përbërjen e saj ka Hysajn e Napolit, Taulant Xhakën e Bazelit dhe Memushajn e Pescarës”, shkruan prestigjiozja italiane. Në grup janë edhe Moldavia e Andorra, që duket se do të mbyllin edhe renditjen në fund të kualifikueseve.

Në grupin A, ku ndodhet Anglia gjysmëfinaliste e Botërorit dhe pretendentja kryesore pasi fitoi edhe grupin e Ligës së Kombeve me Spanjën e Kroacinë, bën pjesë edhe Kosova që konsiderohet si pa shanse kualifikimi nga “Gazzetta dello Sport”.

Top Channel