Për kreun e PBDNJ zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme, dhe kryeministri Rama thjesht po e shtyn në kohë këtë proces. I ftuar në studion e Top Talk, Vangjel Dule theksoi se në përfundim të procesit të zëvendësimit të deputetëve, Parlamenti do të bjerë.

“Në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë Kuvendi përbëhet nga 140 parlamentarë. Në momentin që ky proces, i cili është shndërruar në një farsë të zëvendësimit të deputetët mbyllet, atëherë ky Parlament bie. Unë e shikoj si një obligim Kushtetues të Presidentit që të vijojë me shpërndarjen e Parlamentit, Rrjedhimisht nuk ka asnjë arsye racionale që Rama ta tejzgjasë këtë amulli”, tha ai.

Ndërkohë kreu i PBDNJ ka edhe një lexim ndryshe të deklaratës së Presidentit Meta, i cili paralajmëronte edhe dorëheqjen, që sipas Dules do të çojë në shpërndarjen e Parlamentit.

“Kam një lexim ndryshe. Përpara se të shprehej për dorëheqjen e tij, u shpreh se si President i Republikës nuk mund të njohë një Parlament me 82 deputetë siç është sot. Por edhe për procesin e zëvendimit, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është obliguese për Presidentin e Republikës, nuk njeh as procesin e zëvendësimet. Mendoj se po i afrohemi zgjedhjes”, u shpreh kreu i PBDNJ.

Top Channel