Afati i kryerjes së pagesës së tarifës së shkollimit do të jetë deri në përfundim të vitit akademik 2018-2019. Është ky lajmërimi që është afishuar në disa prej Fakulteteve të UT.

Shqetësimi i studentëve të ekonomikut që përfitojnë bursën në vlerën 10 mijë lekë në muaj është që nuk e kanë marr ende atë shumë lekësh.

“Kemi dorëzuar dokumentacionin si dhe numrin e llogarisë bankare, por nuk është se kemi shumën në llogarinë bankare, nuk na kanë hedhur lekë. Nuk i kemi marr akoma, na thanë të japim prapë numrin e llogarisë. Universitetet e tjera e kanë marrë, ndërsa ne akoma. Na thanë që për një javë do i marrim, por kanë dy tre javë që thonë të njëjtën gjë”, shprehen studentët.

Nga ana tjetër, administratori i Fakultetit të Ekonomisë tregon për Top Channel se mosmarrja në kohë e bursës ndodh prej procedurës, dhe jo prej mungesës së fondit nga qeveria. Në fillim bëhet verifikimi i frekuentimit të 1555 studentëve përfitues, dhe më pas dorëzimi i dokumentacionit.

“Në listat i kemi pasur gati në 13 mars, mirëpo në këta 1555 studentë ka rastisur një numër prej 10% e tyre që nuk kanë sjellë numrat e llogarive. Pra, nga data 15 mars bursat janë cuar në Thesar. 15 marsi ka qenë ditë e premte, e shtunë e diel ka qenë pushim. Në datën 18 kemi tërhequr në Thesar të gjitha listat sipas urdhrave të shpenzimit për cdo bankë dhe kemi shpërndarë në të gjitha bankat. Bankat për hesapin e tyre kanë procedurën e tyre teknike që të kalojnë nga llogaria e Fakultetit, në llogarinë individuale të studentit”, shpjegon Ermal Haxhiaj.

Këtë muaj studentët e ekonomikut do të marrin bursën e janarit, për ato ditë që kanë frekuentuar auditoret, pasi ditët e protestës nga 6 dhjetori deri më 21 janar janë shtyrë për mësim në muajin korrik.

“Për periudhën 21 janar-31 janar do të marrin bursë të plotë, por jo të plotë në ditë. Pra jo 31 ditë por 10 ditë sepse kjo periudhë me vendim të Dekanatit të FE-së , kjo periudhë mësimi që u bojkotua është zhvendosur në korrik”, thotë administratori i Fakultetit Ekonomik.

Në momentin që procedura e kalimit të parave nga Thesari do të bëhet në numër më të reduktuar bankash, thotë administrator, atëherë bursat do të kalojnë në kohë. Ndërkohë që administrata e Universiteteve presin transfertën nga qeveria për rimbursimin e bursave dhe të tarifave të shkollimit. Aktualisht ata ja kanë dalë me fondet e mbetura.

Top Channel