Theresa May nuk do t’i kërkojë BE-së një shtyrje të gjatë, kur t’i paraqesë zyrtarisht bllokut kërkesën për të vonuar “Brexit”-in.

“Downing Street” thotë se kryeministrja ndan të njëjtin zhgënjim me publikun nga dështimi i Parlamentit për të marrë një vendim.

Sipas BBC-së, shtyrja nuk do të shkojë përtej qershorit. Një ministër i kabinetit i tha gjigantit mediatik se ky ishte një dorëzim përballë ndjekësve të vijës së ashpër në Partinë Konservatore.

Megjithatë, ish-kreu i kësaj force politike, Ian Duncan Smith, një mbështetës i flaktë i “Brexit”-it, e tregoi hapur se 90 për qind e ligjvënësve konservatorë do të votonte kundër një vonese më të gjatë dhe se injorimi i këndvështrimit të tyre do ta zhyste partinë në telashe të mëdha.

May i kishte rrëfyer më herët synimet e saj për t’i kërkuar BE-së më shumë kohë. Por, ministrat pro “Brexit”-it në kabinet ia bënë të qartë se një lëvizje të tillë e konsideronin të papranueshme.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker deklaroi mëngjesin e së mërkurës për një radio gjermane se, vendimi i shtyrjes së “Brexit”-it, me shumë gjasë nuk do të merret në takimin e nivelit të lartë të BE-së këto ditë, e se udhëheqësve të Bashkimit Europian do t’iu duhet ndoshta të mblidhen sërish javën e ardhshme.

Top Channel