Brenda 25 vitesh, Anglia rrezikon të përballet me një mungesë uji. Paralajmërimi vjen nga shefi ekzekutiv i Agjencisë së Mjedisit, Sir James Bevan, i cili flet për mbërritjen e vendit në pikën ku kërkesa për ujë e një popullate në rritje, i kapërcen mundësitë e furnizimit, që kanë ardhur në rënie për shkak të ndryshimeve klimaterike.

Një skenar i tillë megjithatë mund të shmanget, sipas Bevan, falë veprimeve ambicioze për uljen e përdorimit të ujit me një të tretën dhe rrjedhjeve nga tubacionet e kompanisë kryesore të ujit me 50%.

Ai thekson ndër të tjera nevojën për rezervuare të rinj të mëdhenj, apo shtimin e komplekseve të shkripëzimit. Nëse nuk kalojmë në veprim, gati 25 vjet nga tani, kur linjat e kërkesës dhe ofertës të përplasen në atë që disa e njohin si “nofullat e vdekjes”, do të mbërrijmë në pikën kur nuk do të kemi më ujë mjaftueshëm për të përmbushur nevojat tona, tha Bevan për The Guardian.

Deri në vitin 2050, popullsia e Britanisë së Madhe pritet të mbërrijë në 75 milionë, nga 67 që është aktualisht, e kjo do të shtojë akoma edhe më shumë kërkesën për ujë.

Sipas Bevan, mesatarja e përdorimit ditor të ujit, që sot është diku tek 140 litrat, mund të reduktohet gjatë dy dekadave të ardhshme në 100 litra, përmes një përdorimi më të efektshëm në shtëpi dhe kopshte.

Top Channel