Presidenti rus Vladimir Putin firmosi legjislacionin që iu mundëson autoriteteve të bllokojnë faqe të caktuara interneti dhe të japin dënime për lajme të rreme, apo për materiale që ato i konsiderojnë si fyerje ndaj shtetit ose publikut.

Për kritikët, kjo nuk është gjë tjetër veçse përpjekja e radhës e Kremlinit për të shtuar kontrollin mbi internetin e për t’i zënë frymën disidencës. Dhoma e Lartë e parlamentit rus, Këshilli i Federatës i miratoi projektligjet më 13 mars, pasi dhoma e ulët “Duma” dha aprovimin përfundimtar.

Dy ditë përpara se kjo të ndodhte, Këshilli presidencial i Rusisë për zhvillimin e shoqërisë civile dhe të drejtat e njeriut kishte kërkuar që projektligjet t’i dërgoheshin edhe njëherë “Dumës” për rishqyrtim.

Argumenti i këtij organizmi të injoruar shpeshherë nga Putin ishte Konventa europiane për të Drejtat e Njeriut dhe fakti që liria e shprehjes, siç thanë anëtarët e tij, nuk mund të kufizohet thjesht për shkak të dyshimeve, nëse ajo që thuhet është e vërtetë ose jo.

Ligji i ri autorizon prokurorin e përgjithshëm dhe zëvendësit e tij të përcaktojë se çfarë përbën lajm të rremë, por pa një vendim gjyqësor. Për publikimin e lajmit të rremë, ligji përcakton gjoba deri në 100 mijë rubla, apo 1.525 dollarë për individ; 200 mijë rubla për zyrtarët publikë dhe 500 mijë rubla për kompanitë.

Top Channel