Ish-presidenti amerikan George W. Bush ka marrë pjesë në një ceremoni natyralizimi gjatë së hënës, ku lëvdoi historinë e emigrantëve të vendit dhe u bëri thirrje ligjvënësve të ofrojnë reforma gjithëpërfshirëse emigracioni.

“Përfaqësuesit e zgjedhur të Amerikës kanë një detyrë të rregullojnë se cilët do të vijnë dhe kur”, tha Bush në ceremoninë që u mbajt në Qendrën presidenciale GWB në Dallas, ku dhjetëra persona bënë betimin e besnikërisë për t’u bërë shtetas amerikanë.

“Përmbushja e kësaj përgjegjësie ndihmon të kujtojmë se pikërisht historia e emigrantëve të Amerikës na ka bërë këta që jemi sot. Pavarësisht komplikacioneve të politikës, le të mos harrojmë kurrë se emigracioni është një bekim dhe një fuqi”, u shpreh ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Bushit i bashkua bashkëshortja Laura, e cila mbajti gjithashtu një fjalim përpara ceremonisë, e veçoi komunitetin e jashtëzakonshëm të emigrantëve në Teksas.

“Ne jemi një shtet shumë i pasur, për të gjitha kulturat që kanë gjetur strehim në vendin tonë”, tha ish-Zonja e Parë e Amerikës.

Ish-presidenti iu tha gjithashtu pjesëmarrësve në ceremoni se, veç të kthyerit në shtetas amerikanë, ata duhej të mos harronin se zyrtarisht janë teksanë.

Fjalimet dhe pozicioni politik që ka marrë Bush vjen në një moment delikat dhe në kontrast me qëndrimet moderne të Partisë Republikane, e veçanërisht presidentit Donald Trump, i cili ka bërë avokatin e politikave të linjës së ashpër kundër emigracionit, teksa vitin e kaluar deklaroi se ai mund të eliminonte konceptin kushtetues të dhënies së shtetësisë fëmijës që lind në SHBA.

Trump organizoi një ceremoni natyralizimi në Zyrën Ovale janarin e kaluar, ku gjithsesi përgëzoi shtetasit e rinj amerikanë për arritjet e tyre.

Në fjalimin e së hënës, Bush parashikoi se politikat e duhura dhe të drejta duhej të konsideroheshin, por tha se një reformë e tillë duhet të nisë me “njohjen e përgjegjësisë së qartë në kufi”, duke distancuar kështu veten edhe nga shumë demokratë të shquar, të cilët kanë kritikuar agjencinë për Emigracionin dhe Kontrollin Doganor dhe që kanë bërë thirrje për heqjen e saj.

“Kufijtë nuk janë arbitrarë, ato duhet të respektohen së bashku me meshkujt dhe femrat e shkëlqyera të shërbimeve të emigracionit dhe të patrullimit kufitar”, tha Bush.

Top Channel