Qeveria vendosi javën e shkuar që t’i përjashtojë nga skema e subvencionimit fermerët që kultivojnë prodhimet e tyre në sera. Një fermer që kultivon perimet në sera prej 10 vitesh në Elbasan këtë vit kishte rritur sipërfaqen për të plotësuar kushtet për të përfituar. Ndërkohë ekspertët thonë se ky vendim do te reduktoje hapësirën e serave në vend.

Nazmi Beqir, prej 10 vitesh kultivon perime në sera. Fermeri nga Elbasani na tregon se në vitin 2018 nuk aplikoi për subvencionim pasi nuk plotësonte kriterin e hapësirë, për këtë arsye ai rrit sipërfaqen e serave, por mbledhja e fundit e qeverisë ndryshe nga një vit më para ka përjashtuar nga skema e përfitimit të subvencionit mbjelljen e perimeve në sera.

Sipas Beqirit subvencioni ul importin e produkteve bujqësore, për pasojë konsumatorit do t’i kushtojnë më shtrenjtë perimet.

“Unë do të ndërtoja serë tjetër, atë subvencion do ta fusja në serë duke instaluar sistemin e ngrohjes më avull që të dilja në treg me domaten sa më shpejt, kështu edhe qytetari do ta merte më lirë”, tha Nazmi Beqiri, i pyetur se çfarë do të bënte nëse do kishte përfituar.

Fondi i programit për bujqësinë një vit më parë ishtë 15 milion dollarë, ndërsa këtë vit në mbledhjen e javës së shkuar të qeverisë ky fond do të jetë vetëm 4.5 milion dollarë. Sipas ekspertit të bujqësisë një gjë e tillë do të sjelle zvogëlim të hapësirave të serave.

“Çdo vit ka pas nga 80-100 hektar me sera të reja në Shqipëri, këtë vit të jenë të sigurt që nuk do te ketë më shumë se 10-15 hektarë sepse financimi ka qenë në nivelet e 10-15 mijë dollarë për një dylym serë. Kjo do të ndikojë edhe në prodhimin vendas, sigurisht edhe eksportet do të jenë më të ulta. Po të shikoni statstikat kjo e ka dhënë efektin në dy muajt e parë të këtij viti”, tha Ndoc Fasllia, ekspert i bujqësisë.

Edhe pse fondi është miratuar, ende nuk ka dale udhëzimi për kategorinë e atyre fermerve që do të aplikojnë për subvencion.

“Vonesa e këtij udhëzimi përveç se është një fond tepër i reduktuar, vë në pikëpyetje edhe absorbimin e këtyre fondeve 4.5 milion dollarë”, tha Ndoc Fasllia, ekspert i Bujqësisë.

Top Channel