Me një pasarelë të rregulluar në stilin e tendës, Diori prezantoi në Dubai koleksionin e tij të fundit “haute couture” në mesin e një turme “fashionist”-ësh, figurash të medies sociale, yjesh, blerësish, stilistësh e gazetarësh.

Ishte shfaqja e parë atje e shtëpisë së famshme franceze të modës, e cila e kishte paraqitur fillimisht në Paris gjatë muajit janar koleksionin e saj “Pranverë-Verë 2019”. Atij të Dubait iu shtuan edhe 15 krijime të reja, të stiluara posaçërisht për preferencat e publikut arab.

Afishimi i luksit dhe një vijë horizonti me tipare futuriste, ishin sfondi ideal për spektaklin e drejtueses kreative të gjigantit të modës, Maria Grazia Chiuri.

Dubai, ku “Bugatti”-t dhe miliarderët janë një pamje e zakontë, ka fituar reputacionin e një qyteti të apasionuar pas “glamour”-it dhe projekteve madhështore, si kulla më e lartë e botës, apo rrjeti i pafund i hoteleve me 5 yje e “spa”-ve.

Joshje kërkoi të përcillte edhe Chiuri me fustanet e lirshëm rrëzëllitës, kapelat që kujtonin pak helmetën apo këpucët me shkëlqim.

“Sa më shumë shëtis botën, aq më shumë bindem se femrat janë njësoj gjithandej. Sigurisht ka shumëllojshmëri shijesh, por ajo për të cilën po flas është personaliteti”, tha Maria Grazia Chiuri.

Fakti që Dior mbërriti në Dubai tregon, sipas disa personaliteteve vendase, se Emiratet e Bashkuara Arabe po i bëjnë vetes një vend në hartën e modës.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel