Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë “Aleat” hapën zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në Njësinë numër 5, një nga më të mëdhatë e kryeqytetit. Në këtë mënyrë, qytetarët e kësaj njësie në kryeqytet nuk do të duhet të presin në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrat Sandër Lleshaj dhe Pandeli Majko, si dhe nga drejtori ekzekutiv i “Aleat”, Jean Alain Jouan, panë nga afër mjediset e reja, të cilat trefishojnë kapacitetet e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur sot që bashkë me dy ministrat hapim një njësi të dedikuar të Aleatit për kartat e identitetit dhe pasaportat, për atë që ndoshta është qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, Njësia 5. Njësia 5 ka kaluar nga 3 sportele në 8 sportele, pra thuajse kemi trefishuar qasjen për të gjithë qytetarët që marrin shërbim në 4-5 minuta”, tha Veliaj.

Falë hapjes së zyrave të reja, jo vetëm që janë zhdukur radhët e gjata, por ato do t’iu vijnë në ndihmë edhe banorëve të zonave rurale, që dikur kanë qenë ish-komuna. Për të lehtësuar shërbimin ndaj banorëve të këtyre zonave, shërbimet e zonave të ndryshme janë grupuar nëpër qendrat administrative më të afërta.

Ministri i Brendshëm Lleshaj vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për të afruar shërbimet cilësore më pranë qytetarëve. Lleshaj nënvizoi se puna e bërë në kryeqytet është një model i shkëlqyer për t’u aplikuar edhe në bashkitë e tjera të vendit.

“Ne japim karta europiane, por kartat europiane duhet të jepen në kushte europiane. Kam ardhur këtu për të falënderuar edhe kryetarin e Bashkisë për punën model që po zhvillohet nga Bashkia e Tiranës, si dhe për të ftuar të gjithë kryetarët e bashkive të tjera që të arrijnë te ky model. Motoja do të jetë ‘Afrojmë zyrat te qytetarët dhe jo qytetarët te zyrat’. Duam të arrijmë në të gjitha skajet e Shqipërisë me zyra të këtyre standardeve, me qëllim që qytetarët të marrin shërbim europian”, tha ai, duke kujtuar edhe zgjatjen e afatit për aplikimet për karta identiteti apo pasaporta të personave të parë që aplikuan rreth 10 vite më parë, se është bërë pikërisht me synimin për të shmangur radhët.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u shpreh se falë këtij investimi është hedhur një hap i rëndësishëm për të tejkaluar emergjencën fillestare për aplikimet për letërnjoftime.

“Me këtë zyrë kemi përmbyllur situatën emergjente që kemi patur në Njësinë 5 dhe me hapjen e dy qendrave. Besoj se qytetarët e kanë kuptuar shumë qartë që kompania ‘Aleat’ është kthyer në një aleat të vërtetë të interesave të tyre. Falë bashkëpunimit me kompaninë, me ministrin e Brendshëm dhe sidomos me Bashkinë, mendoj se kemi bërë një hap të rëndësishëm”, nënvizoi Majko.

Top Channel