Një person ka hapur zjarr brenda një trami në qytetin holandez të Utrechtit, duke vrarë një person e duke plagosur disa të tjerë, sipas raporteve ende jo zyrtare nga policia.

Zona në perëndim të qytetit është rrethuar thuajse tërësisht nga autoritetet policore, ndërsa të pranishme në vendngjarje janë vetëm shërbimet e emergjencave që ofruan që në fillim ndihmën e parë për të plagosurit.

Autoritetet thonë se agresori është ende në arrati, e për këtë arsye u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë larg zonës, ndërsa drejtuesve të shkollës iu është kërkuar mbyllja e dyerve të tyre. Ata thonë se po hetojnë mbi një “motiv të mundshëm terrorist”.

Koordinatori holandez i antiterrorizmit vijon kontaktet me autoritetet lokale dhe thotë se niveli i kërcënimit është rritur përkohësisht në pikën më të lartë, të paktën për Utrechtin.

Kryeministri Mark Rutte tha se ishte “tejet i shqetësuar” për këtë ngjarje, ndërsa anuloi bisedimet javore për koalicionin qeveritar që kishte programuar.

Të shtënat ndodhën rreth orës 10:45 në kryqëzimin “Oktoberplein”, atje ku u dërguan menjëherë 3 helikopterë në ndihmë të viktimave.

Shërbimet e sigurisë i kërkuan Qendrës Mjekësore Universitare të Utrechtit të hapte seksionin e posaçëm për emergjencat, për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve.

“Një burrë nisi të qëllonte egërsisht”, tha një dëshmitare për faqen holandeze të lajmeve “NU.nl”. Një tjetër dëshmitar i tha rrjetit publik holandez “NOS” se kishte parë një grua të plagosur, me gjak në duar dhe në trup.

“E mora në makinë dhe e ndihmova – tha ai. – Kur mbërriti policia, ajo ishte e pandërgjegjshme”.

Ende nuk dihet numri i saktë i të plagosurve, apo sa rëndë janë plagosur ata.

Top Channel