Foto ilustruese

E shtuna e 23 marsit do t’i gjejë socialistët të mbledhur në Kongresin e tyre të radhës. Një Kongres i rëndësishëm për kohën kur zhvillohet, vetëm 3 muaj përpara zgjedhjeve lokale. E gjithë mbledhja e Kryesisë së PS-së, këtë të hënë iu dedikua përgatitjeve pikërisht për këtë Kongres.

Formati i Kongresit do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pas fjalës së mbajtur nga kreu i socialistëve Rama, do të vijohet me 3 sesione të ndryshme, nga ku do të paraqiten shembujt e qeverisjes lokale të PS-së, çfarë është arritur nga platforma e bashkëqeverisjes, si edhe “Pakti për Universitetin”.

  Kongresi i PS-së, fokusi te zgjedhjet lokale. Ftohet edhe Nano

Nuk është vendosur ende nëse në Kongres do të shpallen kandidatët për lokalet e 30 qershorit. Në Kongres do të shpallet lista e këshilltareve bashkiakë vetëm për Tiranën, nga ku Erion Veliaj do të garojë për një mandat të dytë. I gjithë Kongresi do të jetë i fokusuar në zgjedhjet lokale 2019. Sikurse edhe kongreset e shkuara, edhe në atë të kësaj të shtune nuk do të mungojë ftesa për ish-liderin e PS-së, Fatos Nano.

Kryesia e PS-së ngarkoi Damian Gjiknurin si Sekretar për Çështjet Zgjedhore, si dhe për të koordinuar punën për Reformën Zgjedhore.

Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka drejtuar mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist. Kryeministri ka anashkaluar atë çfarë ndodhi në protestën e së shtunës, organizuar nga opozita.

Megjithatë, porosia e kryeministrit për seancën e ardhshme parlamentare, të enjten, ishte sa më shumë diskutime. “Në seancat parlamentare flisni të gjithë, jemi në normalitet parlamentar”, është shprehur kryeministri.

Rama i kërkoi grupit parlamentar të nisin diskutimet nëpër bashki për kandidatët për këshillat bashkiakë. “Më pas, në listë ne do të vendosim njerëzit me më shumë kontribute”, ka deklaruar Rama.

Po ashtu, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama ka kërkuar përshpejtimin e formulimit të neneve që dryshojnë në Kodin Penal për të gjithë ata, të cilët përfshihen në akte huliganizmi gjatë ndeshjeve të futbollit.

Top Channel