“Europa është e paplotë pa Ballkanin”, deklaroi në një samit në Bukuresht, kandidati kryesor i Partive Popullore Europiane (PPE/EPP) për postin e presidentit të Komisionit Europian, Manfred Weber.

Në samitin e PPE-së, ku merrnin pjesë 3.200 delegatë, Weber paraqiti vizionin e tij për kontinentin e vjetër.

“Ne duhet të jetojmë me të njëjtat standarde në të gjithë Europën”, u shpreh politikani gjerman, duke shpjeguar se, si kryetar i KE-së do të favorizonte politikat e zhvillimit rajonal dhe të infrastrukturës.

“Unë dua të luftoj për një Europë, që njerëzit ta ndiejnë si Europën e tyre”, deklaroi kandidati konservator.

Weber u shfaq tepër i prerë për çështjen e Turqisë dhe tha se, nëse e merr postin që synon do t’i ndërpresë bisedimet e anëtarësimit me Ankaranë.

Mesazhi tjetër i fortë i tij ishte se Europa duhet të afrojë shtetet e Ballkanit. Weber u distancua edhe njëherë nga Victor Orban. Kryesia e PPE-së do të vendosë në ditët në vijim sesi do të veprojë me kryeministrin hungarez, pas zërave që kërkojnë përjashtimin ose pezullimin e përkohshëm të partisë së tij “Fidesz”.

Top Channel