Prej disa muajsh, Teatri Bylis në Fier po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, i cili parashikohet të përfundojë në fund të Prillit.

Rikonstruksioni do të kryhet në dy faza. E para me vlere prej 50 milionë lekë përfshin skenën, sallën, ndriçimin, sistemin e ngrohjes dhe ambientet e punës së aktorëve.

Ndërsa në fazën e dytë përfshihet rikonstruksioni i hollit dhe pjesës së jashtme të ndërtesës.

Aktorët thonë se pas vitit 90, në skenën e teatrit Bylis ka qenë shumë e vështirë të interpretoje për shkak të mungesës së kushteve.

Kushtet e vështira në të cilat interpretoheshin dramat e autorëve shqiptare dhe të huaj, i kanë ndier edhe aktorët e rinj që i janë bashkuar vitet e fundit trupës së Teatrit të Fierit.

Në teatrin “Bylis” janë vënë në skenë 4 premiera në vit. Pas rikonstruksionit të plotë, veç premierave të aktorëve fierakë, në këtë teatër bashkëkohor do të interpretojnë edhe trupa te tjera teatrore.

Rikonstruksioni i teatrit Bylis është një vlerësim që i bëhet tempullit të teatrit në Fier, pasi trupa e saj mbahet mend nga artëdashësit në të gjithë vendin për shfaqjet si “Dy krisma ne Paris”, “Horoskopi Babilonas”, “Dasma e Malos”, “Cobo Rrapushi” dhe shumë të tjera.

Për këto shfaqje kanë punuar regjisorë si Pellumb Kulla, Gëzim Kame, Sherri Mita apo Leka Bungo. Në këtë skenë kanë interpretuar aktorë të mirënjohur si Fatos Sela, Muhamet Sherri, Luftar Paja, Fuat Boçi e të tjerë.

Top Channel