Titulli kampion për Skënderbeun duket një mirazh këtë sezon, e në vigjiljen e një ndeshjeje të rëndësishme në Kategorinë Superiore, si ajo ndaj Kukësit, edhe në kampin e korçarëve e pranojnë me gjysmë zëri.

Diferenca mes “Ujqërve” dhe ekipit mik nga qyteti verilindor, këtë të shtunë, është plot 10 pikë.

“Vendi i parë është pak larg dhe nuk mund të shohim deri aty kur kemi pengesa të tjera përpara. Duhet të arrijmë ato që kemi përpara fillimisht, pastaj të mendojmë për atë që është i pari. Kemi mundësi për më shumë, për t’u ngjitur më lart. Vendi që mbajmë aktualisht nuk na shkon për shtat”, deklaroi Orges Shehi, trajner i korçarëve.

Por, çfarë e bën të vështirë përballjen e kësaj të shtune ndaj Kukësit të vendit të dytë?

“E vështirë për shkak të kundërshtarit, që është i fortë, por e bën të vështirë edhe situata ku ndodhemi, sigurisht edhe objektivat. Është një ndeshje që i ka të gjitha përbërësit e vështirësisë brenda, ndërsa në kampionatin shqiptar është një ndeshje që mund të humbet nga kushdo dhe ndaj kujtdo”, tha më tej ish-portieri i Skënderbeut.

Skënderbeu do të luajë ndaj Kukësit të shtunën në orën 17:00, e në rast të një suksesi potencial, do të afrohet më shumë me zonën e kupave europiane.

Top Channel