Përfundon kështu një tjetër fazë e rëndësishme në “The Voice Kids”, ajo e Betejave.

Përgjatë 3 javëve artistët nga secila skuadër janë përballur me njëri-tjetrin në ringun e Betejave duke dhuruar performanca fantastike por dhe duke vënë në vështirësi trajnerët e tyre.

Edhe sonte ashtu si në netët e tjera ka patur shumë momente emocionuese dhe argëtuese. Fillimisht ishin trajnerët ata të cilët na rrëfyen shkurtimisht për rrugëtimin e tyre përgjatë Betejave dhe punën me konkurrentët e talentuar.

Teksa theksuan se kjo ka qenë një periudhë e bukur, gjithashtu nuk kanë munguar as momentet e vështira. Secili prej tyre tashmë pret me padurim fillimin e Netëve Live, aty ku vendimet i merr publiku.

Ato të cilat hapën Betejat ishin mbretëreshat e skuadrës së Arilenës, Uendi, Laura dhe Natalia. Vajzat transmetuan shumë energji pozitive teksa kënduan këngën hit të Anne Marie, “Ciao Adios”. Një ndër interpretimet më të preferuara edhe të Dojna Memës e cila me shumë humor u vetëftua që të krijonte një grup muzikor me to.

Një performancë ‘bombë’, siç e quajti edhe Renis Gjoka ishte ajo e Deonës, Alteas dhe Entelës. Tre konkurrentet arritën të shpalosnin më së miri vokalet e tyre përgjatë Betejës.

Shumë argëtues ishte momenti kur Miriam Cani u surprizua nga konkurrentët e skuadrës së saj gjatë provave. Bëhet fjalë për Rronin, Rumejsën dhe Dominikun të cilët kishin përgatitur një interpretim të veçantë për Betejën e tyre.

Momente kaq të bukura si këto nuk do të mungojnë as në Netët Live që do të ofrojnë më shumë emocione drithëruese se kurrë. Nga e premtja e ardhshme ata që do të vendosin, jeni ju!

Top Channel