Dy deputetë francezë Jacques Maire dhe Liliana Tanguy ndodhen në Tiranë, me synimin e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ata kanë zhvilluar një takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputeten Blerina Gjylameti në Kryesinë e Kuvendit.

E në përfundim të këtij takimi ata janë pyetur nga gazetarët për situatën aktuale politike.

Deputetët francezë u shprehën se nuk duan të komentojnë situatën e brendshme politike në Shqipëri, por kërkuan që palët të gjejnë një zgjidhje për ngërçin.

“Kemi ardhur për të diskutuar edhe për situatën politike. Është e rëndësishme të kemi diskutime nga afër dhe do kemi diskutime më të detajuara pas zgjedhjeve evropiane. Kemi ardhur për të përforcuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Kemi pasur takime edhe me opozitën dhe me qeverinë dhe e kuptojmë qëndrimin e secilës parti. Nuk duam të ndërhyjmë në debatin e brendshëm shqiptar. Duhet konsensus edhe nga ana e publikut. Duhet të kemi parasysh edhe reformat që bën Shqipëria siç është reforma në drejtësi. Kam besim se do gjendet zgjidhje nga shqiptarët”- tha deputeti francez Jacques Maire.

Të pyetur se cili do të jetë qëndrimi i Francës këtë qershor për Shqipërinë, deputeti i Macron u përgjigj: “Nuk mendoj se përgjigja është kur Franca do të thotë ‘po’, por kur do të jetë gati Franca për tu shprehur. Se kur Franca do të jetë e gatshme të thotë se kur Shqipëria do të jetë pjesë e BE nuk është një risi, por është një pikë shumë e rëndësishme. Nëse zgjerimi do të ishte diçka për të frikësuar qytetarët për zgjerimin e BE, edhe kjo mund të ndodhë. Përpjekja jonë është letra e Macron, kjo do të thotë që të kemi një komision të ri, një parlament të ri dhe një këshillë të re gjithashtu, një shumicë progresiste në Evropë, sepse po të kemi një mazhorancë të ekstremit të djathtë do të kemi më shumë probleme në Evropë”.

Nga ana tjetër Taulant Balla u shpreh se Franca mbështet e hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Unë jam i sigurt që do të hapen negociatat në muajin qershor me Bashkimin Europian. Franca e mbështet procesin e Integrimit të Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Top Channel