Konflikti për pronën te Petro Nini, pronari ofron marrëveshje në “Open”: Ata fëmijë nuk i lë në rrugë!

14/03/2019 21:38

Konflikti i ndodhur pak ditë më parë për një pronë, shtëpi banimi, në zonën e lakmueshme të kryeqytetit, pranë gjimnazit “Petro Nisi Luarasi”, ishte në qendër të debatit në emisionin “Open” nga Eni Vasili në ekranin e Top Channel këtë të enjte.

Të ftuar në studio ishin Mesila Doda, Shpëtim Nazarko, Anila Basha dhe Fahri Balliu. Ndërkohë që në lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin, nga studio dytësore ishin Blerta Dervishi, efektive e policisë dhe banore e shtëpisë së diskutueshme, avokati Ndue Pjetra dhe një përfaqësues i banorëve, sikurse në lidhje telefonike edhe pronari i objektit me vendim gjykate, Aleksander Gavoçi.

Po ashtu dhanë opinionet e tyre edhe Myrshit Vorpsi dhe Erinda Ballanca, kjo e fundit Avokate e Popullit.

I pari që foli në këtë debat të hapur ishte pronari i truallit mbi të cilin janë ngritur banesat. “Unë nuk jam fajtor në këtë mes, di të them që jam me ligjin dhe me të drejtën njerëzore, kërkoj vetëm zbatimin e ligjit dhe ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë”, tha Aleksandër Gavoçi.

Institucioni i Avokatit të Popullit ende nuk ka një padi nga banorët, por siç theksoi zonja Ballanca, ai mund të nisë hetim nëse konsideron se ka shkelje të të drejtave të njeriut.

“Përfshirja e fëmijëve në këtë konflikt e bën edhe më të rëndë ngjarjen. Në rastet kur vendimet gjyqësore duhet të ekzekutohen, aty ku të pranishëm mund të jenë edhe fëmijë, atëherë duhet të merret parasysh njoftimi i institucioneve respektive për të mos lejuar shkaktimin e traumave të rënda tek ata, jo vetëm të prekurit”, tha Avokatja e Popullit.

Banorja-efektive: Kemi firmosur marrëveshje, ai nuk e respekton!

“Unë kam qenë vetëm 8 vjeç që kur ka ndodhur kjo histori. Zoti Gavoçi ka vendimet e gjykatave, të fituara mbi bazën e tekave të gjyqtarëve, ndërsa unë kam dokumentet e marra nga shteti, me certifikatë pronësie, e gjithçka shtetërore. Gjyshi im nuk ka hyrë me forcë në atë shtëpi, e ka paguar me qira dhe shteti ia ka dhënë certifikatën e pronësisë. Te vendimet e gjykatave, e veçanërisht të gjykatësit Gjin Gjoni nuk gjen asgjë, nuk ka shkruar asgjë, thjesht është marrë vendim në favor të zotit Gavoçi”, tha Blerta Dervishi banore dhe efektive njëkohësisht, e cila tha se në këtë vend nuk fiton i varfri, i drejti, por hajduti dhe ai që ka parà.

Sipas efektives Dervishi, ajo dhe familjarë të saj kanë firmosur në një marrëveshje me pronarin e truallit, i cili iu ka premtuar atyre se do të bëhet një ndërtesë, ku do të marrin pjesë edhe familjet në konflikt me të. Por, efektivja pretendon se edhe pse marrëveshja është firmosur, ata i frikësohen se pronari i truallit nuk do t’i qëndrojë marrëveshjes, për sa kohë që atyre iu shkoi Përmbarimi për daljen nga shtëpia, ndërkohë që prisnin që pronari të dorëzonte dokumentet në Bashki për të marrë lejen dhe për të pasur të dokumentuar përfitimet e secilës palë.

“Të dyja palët kanë të drejtë, ta zgjidhë shteti”

Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, edhe pse pranon se të gjitha palët kanë të drejtat e tyre, si pronari i vjetër i truallit, ashtu edhe pronarët e rinj, të cilëve ua ka njohur shteti, gishtin e faji e drejton nga legjislacioni i copëzuar dhe i parregullt për pronat, që shteti nuk pranon ta korrigjojë.

Një ide që e ka mbrojtur në njëfarë mënyre edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, që theksoi gjithashtu nga ana e saj problemin e mbivendosjes së ligjeve të ndryshme.

“Banorët duhet të fokusohen te çështja e pronës dhe të pranojnë të drejtën e të gjitha palëve, e të mos fajësojnë vetëm sistemin e drejtësisë për këtë çështje. Nga pikëpamja juridike, nuk ka rëndësi nëse ka qenë banesë shtetërore apo private në momentin kur ka hyrë në fuqi ligji për Kompensimin e Pronave. Unë dua të theksoj se ligjet duhet të kenë kohezion me njëri-tjetrin, ndaj për këtë çështje duhet të ndërhyjë sërish shteti. Shteti duhet t’i trajtojë edhe këto familje me banesa sociale, nëse realisht nuk ka një marrëveshje mes palëve. Por nëse ka marrëveshje, ajo duhet zbatuar duke nisur që me daljen nga shtëpia. Në rastin konkret, efektivja nuk është pronare dhe po ia jep truallin për ndërtim një ndërtuesi, por janë dy pronarë që kanë pretendimet e tyre. Këtu duhet të ketë adresim ligjor dhe të mos ia kalojmë fajin gjithnjë gjykatave”, deklaroi zonja Ballanca.

Pronari i truallit ofron marrëveshje në “Open”: Ata fëmijë nuk i lë në rrugë!

Me ndërhyrjen e sërishme telefonike të pronarit të truallit, Aleksandër Gavoçi, e replikave të shkëmbyera me avokatin e banorëve të prekur nga vendimi gjyqësor, që pret ekzekutimin nga Përmbarimi, u la të kuptohet se deri në datën 25 mars ka ende hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.

Zoti Gavoçi kërkoi nga ana e tij zbatimin e ligjit dhe të vendimit gjyqësor, duke këmbëngulur se është pronar i ligjshëm i truallit, mbi të cilin kanë ndërtuar banesa pronarët pretendues, e premtoi në emision se nuk do t’i linte jashtë ata fëmijë, ashtu sikurse nuk ka dashur kurrë të shkaktojë atë dramë të parë para pak ditësh.

Pronari i truallit kërkoi gjithashtu falje nga ana e banorëve për gjithçka kanë thënë ndaj tij, qoftë edhe për akuzat për korruptim të gjyqtarëve, ndërkohë që shprehet i gatshëm të ofrojë strehim për banorët e prekur.

Top Channel