Në studion e “Top Talk” Ligoraq Karamelo si një prej kandidatëve që pranoi mandatin e deputetit në kundërshtim me qëndrimin politik të opozitës për djegie mandatesh, u shpreh se ai nuk është për protesta të dhunshme, por për një opozitë institucionale për të ndërtuar të ardhmen europiane në Shqipëri.

“Jam për protesta paqësore, por protesta për hir të tendencave apo kërkesave që shkojnë tej kushteve në të cilat aspiron vendi, unë nuk jam dakord”, thekson Karamelo.

Më tej deputeti i ri i kësaj legjislature, shton se do të ishte më mirë që opozita të përqendrohet për të fituar zgjedhjet lokale, e nëse do t’i fitonte ato do ishte një pikënisje e mirë për të kërkuar tek qytetarët një opsion tjetër qeverisjeje.

“Personalisht do të rekomandoja se do të ishte shumë më pozitive që nëse opozita do të kishte krijuar një strategji të tillë që të gjithë mllefin opozitar dhe të gjitha pakënaqësitë dhe skandalet e kësaj qeveri do t’i orjentonte drejt zgjedhjeve lokale. E nëse do të arrinte ti fitonte ato, do të ishte një pikënisje shumë e mirë për t’i kërkuar mazhorancës një opsion tjetër qeverisjeje”, tha ai.

Top Channel