Elseid Hysaj ka vuajtur këtë sezon për të fituar besimin e trajnerit të Napolit, duke u spostuar shpesh në pankinë, i anashkaluar si zgjedhje e dytë apo e tretë e skuadrës së futbollit italian.

Por, këtë të mërkurë, Carlo Ancelotti kërkoi ta kishte në krah mbrojtësin shqiptar në konferencën për shtyp, në vigjiljen e sfidës në Europa League, ndaj Salzburgut.

Futbollisti shkodran i përfaqësueses kuqezi do të jetë titullar të enjten në mbrëmje, kundër skuadrës austriake.

“Ancelotti e ka ndryshuar fazën mbrojtëse dhe për mua ishte diçka e rëndësishme, sepse për 6 vite radhazi kisha një trajner tjetër. Po mësoj dhe shpresoj të rritem gjithmonë e më shumë. Po e pres shumë një gol me Napolin, e ndoshta mund të vijë ndaj Salzburgut. Duhet vetëm të ruaj qetësinë. Ata kanë një ekip të fortë, por ne do të zbresim në fushë për të bërë lojën tonë”, tha Elseid Hysaj.

Napoli do të vuajë mungesa të rëndësishme në prapavijë, si Albiol, Koulibali dhe Maksimoviç. Skuadra italiane fitoi 3-0 javën e kaluar në stadiumin “San Paolo”, e është pretendente për kualifikimin.

Top Channel