Conor McGregor vihet në pranga nga policia amerikane në Miami të Floridës, me akuzën e “vjedhjes” dhe “sjelljes kriminale” ndaj një tifozi.

Sipas policisë amerikane, boksieri irlandez i arteve marciale sulmoi një tifoz, i cili po përpiqej ta fotografonte, duke i rrëmbyer edhe celularin. Fotografia e kryer u mor nga policia në cilësinë e provës.

Personi, i cili pësoi dhunën e McGregorit, i deklaroi policisë se telefoni celular që zotëronte kishte vlerën e 1.000 dollarëve. Gjithsesi, McGregor e la rajonin e policisë në liri me kusht, pasi pagoi garancinë prej 12.500 dollarësh.

Kjo nuk është hera e parë që McGregor shfaqet problematik. Në nëntor të vitit 2017, ai u gjobit me 400 euro për tejkalim të normave të shpejtësisë, teksa drejtonte mjetin e tij me 160 km/h, ndërkohë që limiti ishte 100 km/h.

Në vitin 2018, McGregor pagoi një garanci prej 50 mijë dollarësh për lirimin e tij, për 3 akuza për agresion dhe një akuzë për vandalizëm, pasi mori pjesë në një sherr të zhvilluar në parkingun e brendshëm të “Barclays Center”, në Brooklyn të Nju Jorkut.

Top Channel