Përpara vizitës që do të zhvillojë në Beograd e Prishtinë, nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike, David Hale, diplomat karriere dhe ish i dërguar për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, u shpreh në një intervistë për gazetën serbe Danas se “nuk është në dorën e Shteteve te Bashkuara” apo askujt tjeter “të diktojë rezultatin përfundimtar të negociatave Beograd-Prishtinë”.

Hale iu përgjigj “absolutisht po” pyetjes nëse ka ardhur koha për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka një shans që një zgjidhje gjithëpërfshirëse do të arrihet këtë vit, por vetëm nëse më parë rinis dialogu. Është koha për të ndaluar provokimet nga të dyja anët, për të hequr taksat dhe për ta kthyer Beogradin dhe Prishtinën në tryezen e bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Europian”, ishte komenti i zyrtarit të lartë të DASH-it që mendon “humbja e kësaj mundësie unike për paqe, siguri dhe rritje ekonomike do të ishte vërtet për të ardhur keq”.

Hale u pyet edhe rreth deklaratave të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç se “edhe Serbia duhet të merr diçka”, si dhe shkëmbimit të territoreve.

“Këtu, Shtetet e Bashkuara nuk do të ofrojnë një recetë për zgjidhjen. Vetëm Beogradi dhe Prishtina mund ta bëjnë këtë përmes negociatave të drejtpërdrejta. Nuk është në Shtetet e Bashkuara, e as tek dikush tjetër, të diktojë rezultatin përfundimtar”, citohet të ketë thënë Hale.

Top Channel