Presidenti Ilir Meta për herë të parë duke komentuar situatën polite në vend ka pranuar se tashmë Shqipëria është e mbërthyer jo vetëm nga një krizë politike.

“Jemi në kushtet e një krize politike dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur. Në mënyrë sistematike kam apeluar për dialog për të evituar këtë situatë”, tha ai

Presidenti Meta nuk dha shpjegime të mëtejshme për formatin e dialogut dhe nëse ai ishte i gatshëm të merrte rolin e negociatorit. Presidenti ka pranuar po ashtu se protestat e opozitës të pleksura me akte dhune e kanë minuar rendin demokratik.

“Palët të bëjnë hapa pas për të vendosur rendin demokratik dhe institucional. Kur vihen në radhë të parë interesat kombëtare duhet të na shtyjnë drejt zgjidhjeve të mençura të kësaj situate”, shtoi Presidenti.

Këto komente Meta i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me homologun slloven Borut Pahor, i cili tha vendi i tij vijon të mbështesë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë drejt BE-së, por nënvizoi se Europa ka problemet e veta të brendshme.

“Mos të përmend këtu rastin e Brexit. Mendoj se zgjerimi i BE në Ballkan është çështje gjeopolitike”, pohoi ai.

Top Channel